FIFA planifikon të shtyjë të gjitha ndeshjet e ekipeve kombëtare deri në vitin 2021. Ky është lajmi që po përflitet së fundmi dhe që duket se do të marrë konfirmim edhe nga UEFA.

Edicioni i dytë i Ligës së Kombeve është programuar për të nisur në muajin Shtator, ndërsa sa i përket kualifikueseve për Kupën e Botës 2022, dy datat e para të ndeshjeve janë shtyrë në Amerikën e Jugut. Nënkryetari i FIFA-s, Victor Montagliani foli në lidhje me këtë situatë dhe u shpreh: “Rreziku ekziston, veçanërisht pasi ndeshjet e Kombëtareve përfshijnë udhëtime nga shteti në shtet.”

Nga ana tjetër, numri një i FIFA-s, Infantino, thotë të njëjtën gjë: “Përderisa rrezikohet shëndeti nuk mund të luhet. Në momentin që do të kemi garanci për shëndetin tonë dhe të futbollistëve atëherë po.” Një mbledhje pritet të mbahet të enjten e javës së ardhshme, ku me siguri do të diskutohet rreth kësaj çështjeje, nëse do të ketë ndeshje Kombëtaresh këtë vit apo jo.