Nënë Veziko, e shtruar prej 14 ditësh në Spitalin Infektiv u kthye mbrëmë në shtëpi pasi fitoi betejë me Covid-19. Por nënë Veziko, nuk ka harruar të falenderojë dhe bluzat e bardha që i qëndruan pranë gjatë këtyre ditëve të vështira. Me anë të një letre të publikuar nga vetë mjeku Pëllumb Pipero ajo i jep kurajo dhe për të gjithë njerëzit, teksa shprehet e sigurt se koronavirusi apo ”qederi” do ikë pasi është ilaç i mirë vetë Piperoja me shokët e tij.

“Të dashur djem dhe vajza,

Ju falenderoj të gjithëve ju që punoni në spitale në këto ditë shumë të vështira. Ju falenderoj për kujdesin që keni treguar për mua dhe për të gjithë. Paçi shëndet në çdo shtëpi, doktorë, infermierë, sanitarë e të gjithë ju që bëni këtë sakrificë kudo. Dalshi faqebardhë dhe nga pleqtë marrçi uratën. Njerëz do iki qederi, se është ilaç i mirë Piperi, me shokë. Faleminderit e shëndet

Veziko 05/04/2020”