Dikur, shkrimtari Zija Çela do të na mësonte se për dashurinë flitet pas vdekjes. U desh një vdekje, ose më saktë një ikje, që të kthehej pas në kohë, atëherë kur një djalë me një portret melankolik luante muzikë italiane me fizarmonikë. Një djalë me sy të mëdhenj, melankolikë, me një portret të skalitur, që do të bëhej një nga aktorët e regjisorët më të njohur të kinemasë shqiptare të para viteve ’90.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Zija Çela tregon njohjen me Rikard Ljarjen, që në kohën e gjimnazit. Në mendje i ka mbetur portreti i atij djali, që mishëronte fisnikërinë e trashëguar prej familjes. E pas një shkëputje shumë vjeçare do të vinte bashkëpunimi në filmin “Në pyjet me borë ka jetë”.

Një film fatlum, siç do të thoshte Zija Çela, sepse jo vetëm u mirëprit nga publiku, duke shënuar një sukses në karrierën e Rikard Ljarjes si aktor e regjisor, por më së shumti sepse njohu shoqen e tij të jetës, marjetën, e cila do ta shoqëronte në shtigjet e vështira të artit. dhe ishte pikërisht ky moment që do ta bënte atë kumbarin e një lidhjeje dashurie, duke marrë pjesë në një nga ato momentet unike të jetës, siç është celebrimi martesor.

Pavarësisht ceremonisë së thjeshtë, ai mban mend ndjesinë e mirë që i jepnin sytë e tyre dhe ajo bisedë e ngrohtë në kafen pas ceremonisë. Ai kujton njeriun, që kurrë nuk i ra gjoksit për arritjen, artistin, që urrejtjen që mishëronte në personazhe, nuk e njohu në jetë.

“Kam përshtypjen se, sikur unë të mund ta pyesja dhe ai të mund të më përgjigjej se çfarë kornize do të donte për portretin e tij, do të më thoshte: “Të vogël, sa më të vogël. Ose, e di ç’ke ti, miku im, lëre fare pa kornizë!”.

Rikardi s’e përdorte modestinë per t’u bërë “popullor”, sado elitar për nga shija dhe rangu, thjeshtësinë e kishte virtyt”, tregon Zija Çela.

Përmes një rrëfimi të ndjerë, shkrimtari na bën portretin e njeriut dhe artistit që u nda nga jeta në një kohë të çuditshme, që u mohoi miqve e kolegëve ta përcillnin për në banesën e fundit.

Ky është edhe pengu i shkrimtarit, që ai, kumbari i dasmës, nuk arriti të ishte i pranishëm në këtë lamtumirë të fundit, të cilën duhet ta shoqëronin shumë duartrokitje, në shenjë respekti për njeriun dhe artistin.marjeta

E keni njohur herët Rikardin, ç’kujtoni prej atëherë?

Po, njohja me Rikardin është e hershme, që në vitet e shkollës së mesme, kur studionim në “Xheladin Fishta”. Por njohjen më së pari e pata me babanë e tij, Karlo Ljarja, mësuesin tim të gjermanishtes. Ai burrë edhe sot më vjen ndërmend me atë trupin e drejtë si fiskaja, pavarësisht nga mosha e shtyrë. E di si më dukej? Me dukej sikur, gjithë kohën që kishte studiuar dikur në Perëndim, e kishte kaluar duke vallëzuar valsin vienez. Me vonë, fisnikërinë dhe finesën e tij i gjeta edhe tek i biri, Rikardi. Me Rikardin kisha tri vjet diferencë. Kur unë isha në vitin e parë, ai ishte maturant dhe së bashku zhvillonim ato mbrëmjet e vallëzimit, ku ai i binte fizarmonikës. Luante muzikë italiane dhe teksa po flasim, përpara syve kam imazhin e tij, me kokën pak mënjanë, me ata sytë e mëdhenj në pamje të parë neutralë, por ku lexohej një melankoli e brendshme, që e shoqëroi gjithë jetën. Rikardi pati fatin të lindte në një familjet shkodrane me lidhje të forta kulturore europiane, çka u mishërua tek ai. Më pas Riku, siç i thoshim shkurt, “u zhduk” për ne, po vazhdonte Institutin e Lartë të Arteve.

Por fati e deshi që rrugët tuaja të puqeshin sërish, pikërisht në filmin e titulluar “Në pyjet me bore ka jetë”, si lindi ky bashkëpunim?

Jemi takuar në rrethana të çuditshme. Kishte kohë që më kërkonte një skenar filmi dhe unë e shkrova, sipas motiveve të një prej novelave të mia. Dhe është filmi që ju përmendet. Do ta quaja një film fatlum, sepse aty ai bëri regjinë, luajti protagonistin, por gjeti edhe Marjetën, e cila po ashtu luante rolin e protagonistes. Ata ranë në dashni me njëri-tjetrin. Më pas më kërkuam të bëhesha dëshmitar, apo më bukur kumbar, në celebrimin e lidhjes së tyre. Megjithëse tashmë ishin bërë të njohur për publikun, akti zyrtar nuk pati shumë nuanca ceremoniale. Mbasi u ulëm në një kafe, çifti e pyeti kumbarin për celebrimin e tij dhe unë ua rrëfeva. Isha në vitin e katërt të shkollës së lartë dhe mora si dëshmitarë tre shokë të kursit. Pastaj drejt e ne klub, ku porositëm dy fërrneta e gjysmë, sepse aq para kisha ne xhep. Pra, dua të theksoj ndjesinë e mirë që po më përcillnin Rikardi e Marjeta. Më kujtohet buzëqeshja e tyre. Ishin çaste sublime, pasi martesa është një lidhje në të mirë e në të keq.

Pas filmit “Në pyjet me borë ka jetë”, patët bashkëpunime të tjera?

Jo, nuk vazhdova më me bashkëpunime kinematografike. Takimet tona u bënë më të rralla, por gjithnjë dashamirëse. Rikardi kishte ca tipare, që e dallonin. Ishte nga më fisnikët dhe më pak egoistët që kam njohur në rrethet artistike. Nuk e kam dëgjuar kurrë të mburrë veten apo t’i bjerë gjoksit. Ka diçka tepër individuale te Rikardi. E keni vënë re? Edhe rolet e tij më dramatike, sikur i vajis një butësi njerëzore e pashqitshme. Si artist, ai kishte talentin për ta interpretuar urrejtjen, por me gjasë nuk e ushtronte si njeri. Është për t’u vërejtur gjithashtu shpërndarja e energjisë së tij gjatë interpretimit. I ngadalshëm në lëvizje, tepër shprehës në mimikë. Dhe pikërisht pse ishte aq shprehës, fytyra e tij me volume të lakmuara për kamerën, të fiksohej në kujtesë. Kam përshtypjen se, sikur unë të mund ta pyesja dhe ai të mund të më përgjigjej se çfarë kornize do të donte për portretin e tij, do të më thoshte: “Të vogël, sa më të vogël. Ose, e di ç’ke ti, miku im, lëre fare pa kornizë!”. Rikardi s’e përdorte modestinë per t’u bërë “popullor”, sado elitar për nga shija dhe rangu, thjeshtësinë e kishte virtyt.

Sidoqoftë, figura e mësuesit, Dritanit, e bëri atë gjerësisht të njohur në publik…

Është e vërtetë, ashtu si figura e Dedës. Shih, po të tregoj një episod. Unë dhe ime shoqe ishim mësues ne Krumë të Hasit kur u bëmë me fëmijën e parë. Me parandjenjën se do të ishte vajzë, unë ia kisha gjetur emrin, ishte Riviera. Lindi djalë dhe zonja ime e quajti Dritan. Mbas pak muajsh, për të na takuar, vjen në konvikt, ku kishim një dhomë, kryetari i këshillit të komunës. “Zot, përse ka ardhur?”, pyesnim veten. Musa ishte bërë me djalë dhe kërkonte leje prej nesh nëse edhe ai mund ta quante të birin Dritan. Efekti i kinemasë, reaksioni zinxhir.

Ju keni bërë një status në “Facebook” me titullin “Në mungesë, Rikard…”. Ka pasur shume klikime, shumë shpërndarje e komente. A mund ta përfshijmë në këtë intervistë?

Pse jo, megjithëse mund të ketë ndonjë përsëritje, në stilin bisedor është edhe ai tekst. E përfytyroja sikur ato fjalë po ia thosha drejtpërdrejt miqve të mi. Ja, ky është rekuiemi im i vogël: Sa pak, sa pak mori Rikard Ljarja dhe sa shumë, sa shumë na dha. Dhe ne përsëri nuk do të mund t’i japim, ndërsa Ai do të vazhdojë të na japë përmes ekranit. Pikëllimi ka ndriçimin e vet dhe në këto çaste ka pikërisht atë të diamantit të zi. U njohëm herët, në vitet e rinisë së gjimnazit, në Shkodrën e vendlindjes sonë. E sot, ky bashkëpunëtori e ky kumbari, sot mungon në mortin tënd. E di Rikard, siç e dije fort mirë edhe ti, miku im i ndier, shume plagë marrim gjatë rrugës së jetës, vdekja është e fundmit që na vret. Por që, njëkohësisht, na përball edhe me të ardhmen tjetër. I paqtë amshimi, e paharrueshme vepra!