Puna për reformën zgjedhore do të rinisë në Kuvend javën e ardhshme. Por në tryezën politike jashtëparlamentare, aty ku arrihen marrëveshjet politike, nuk ka pasur më progres që prej 6 marsit.

Bashkëkryetarja e reformës zgjedhore, sqaron qëllimin e mbledhjes së javës tjetër. “Kemi shtyrë afatin me 2 muaj deri në fund të qershorit, duke parë edhe afatet që na duhen përpara konferencës ndërqeveritare. Kemi propozuar që në javën që vijon të kemi një takim me Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore për ti informuar mbi ecurinë që kemi pasur”, shprehet Hajdari.

Kryerja e reformës elektorale është një prej detyrave të lëna nga Bashkimi Evropian, përpara se të nisin bisedimet për anëtarësim.

“Konferenca ndërqeveritare është përcaktuar në fund të vitit 2020. Ne duhet patjetër që ta mbarojmë para verës. Ne nxisim që ky dialog të vazhdojë, të gjithë kemi një detyrim”, thekson Hajdari.

Gjithsesi, negociatat për detajet e reformës zgjedhore, arrihen jashtë parlamentit, në tryezën e Këshillit Politik, i cili aktualisht nuk ka bërë hapa përpara.

“Këshilli politik nuk është takuar gjatë kësaj periudhe, që nga data 6 mars. Ne po mundohemi që të kemi një takim me ta në javët në vijim”, shtoi Hajdari.

Nevojën për vijimin dialogut e pohoi dhe bashkëkryetari socialit i reformës. “Pa humbur kohë, në kuadër të Këshillit Politik, pres që bashkë me opozitën jashtë parlamentare të rifillojmë sa më shpejt punën për të arritur dakordësi mbi çështjet e mbetura pezull në zbatim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR”, shkruan Damian Gjiknuri.

Edhe pse ka bërë disa përparime në çështjet e financimit të fushatave zgjedhore dhe identifikimin elektoronik të votuesve, tryeza politike ka ende pikë të nxehtë të pazgjidhur votën e emigrantëve, depolitizimin e administratës zgjedhore dhe ndryshimin e sistemit, kjo e fundit e kërkuar me ngulm vetëm nga opozita parlamentare.