Një aktivitet i cili nisi si një lëvizje në Estoni për të gjetur zgjidhje rreth krizës COVID-19, “Hack the Crisis” mori shumë shpejt përmasa ndërkombëtare dhe gjatë kësaj fundjave po organizohet edhe në Shqipëri.

Gjatë fundjavës së 3-5 Prill komuniteti i teknologjisë në Shqipëri i ka hyrë një misioni për të zhvilluar zgjidhje emergjente dhe inovative për krizës që po kalon jo vetëm vendi ynë por mbarë bota me COVID-19.

Në Shqipëri, “Hack the Crisis” u organizua nga EU for Innovation, Coolab, Crazy Town dhe Garage48, me mbështetjen e ICTSmedia dhe rrjeteve të saj si Uplift, ICTSlab dhe PCWorld.al.

Ajo çfarë e bën të veçantë këtë “Hakathon” është formati i cili plotësisht i realizuar online duke përdorur teknologjitë më të fundit video dhe platformat e koordinimit online.

Aktiviteti nisi zyrtarisht ditën e Premte në orën 17:00 përmes një video-konference online ku mori pjesë ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, dhe ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi.

Fjalë inkurajuese për këtë nismë erdhën nga të dy pjesëmarrësit.

“E gjithë bota është bashkë,” tha z. Soreca, duke vënë theksin tek domosdoshmëria e nismave të tilla si Hack the Crisis për të na sjellë të gjithëve bashkë në këtë periudhë të vështirë distancimi social.

“Një ide konkrete dhe shpresëdhënës jo vetëm që ju japin juve një çmim por mbi të gjitha ndihmojnë qindra mijëra të tjerë në këtë situatë të vështirë duke na bërë të gjithëve fitues”, tha ministri Shalsi. Ai tha se ndihet optimist dhe plot shpresë se ky aktivitet do të ketë një impakt të madh.
Hack the Crisis organizohet përmes platformave Zoom dhe Slack nga ora 17:00 e datës 3 Prill deri në orën 18:00 të datës 5 Prill.

Pjesëmarrësit duhet të zhvillojnë ide të cilat mund të shndërrohen në prototip gjatë 48 orëve dhe që ti vijnë në ndihmë krizës së COVID-19.

Zgjidhjet dhe produktet më të mira do të përzgjidhen në ditën e Dielë më 5 Prill nga një juri e përbërë: Sara Usinger nga EU for Innovation; Toni Pienonen nga Crazy Town Oy; Florensa Haxhi nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë; Bora Muzhaqi këshilltare e Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe Arjan Ymeri nga OFICINA.

Tre ekipet më të mira do të marrin si çmim një shumë parash ndërsa do të ofrohen nga organizatorët edhe çmime të tjera në shërbime në mënyrë që fituesit të kenë mundësi të zhvillojnë më tej idenë e tyre dhe ta vënë në funksion sa më parë të jetë e mundur.

Finalja e madhe do të shohë nga 10 idetë dhe zgjidhjet më të mira të dalin 3 fitues.

Thirrjes së Hack the Crisis Albania janë përgjigjur mëse 200 pjesëmarrësi individë dhe ekipe. Aktiviteti po organizohet falë mbështetjes së mëse 30 institucioneve partnere kombëtare e ndërkombëtare me 40 mentorë të cilët ja kanë dedikuar kohën e tyre mbështetjes së ekipeve pjesëmarrëse.

Idetë e zhvilluara gjatë këtij aktiviteti kanë të bëjnë me shpëtimin e jetës së njerëzve, ndihmesën e komuniteteve në nevojë dhe ndihmesën e bizneseve.