Nga Anxhela Celanji

Për javë të tëra, pothuajse çdo media ka histori për pandeminë e koronavirusit në faqen e saj të parë; programet e radios dhe TV përditë raportojnë numrat më të fundit të vdekjeve, ndërsa platformat e mediave sociale janë të mbushura me statistika të frikshme, këshilla praktike ose humor të guximshëm. Ky bombardim i vazhdueshëm mund të rezultojë në ankth të shtuar, me efekte të menjëhershme në shëndetin tonë mendor. Por ndjenja e vazhdueshme e kërcënimit mund të ketë efekte të tjera, më të fshehta në psikologjinë tonë.

Psikologu dhe autori i disa librave të suksesshëm David Robson shkruan për BBC se “për shkak të disa përgjigjeve të evolucionit të thellë ndaj sëmundjes, frika na bën që të bëhemi më konformistë dhe tribalistë, dhe më pak të pranojmë ekscentricitetin”. Gjykimet tona morale bëhen më të ashpra dhe qëndrimet tona shoqërore më konservatore kur shqyrtojmë çështje të tilla si imigracioni ose liria seksuale dhe barazia. Kujtimet e përditshme të sëmundjes madje mund të ndikojnë në lidhjet tona politike.

Sociologu Gëzim Tushi thotë për Gazetën “Si”, se “Covid-19 përveç shqetësimeve jo të vogla, po na nxit dhe detyron të bëjmë disa ridimensionime të mëdha në stilin e jetës, në mënyrën si organizojmë jetën personale dhe marrëdhëniet me strukturat bazë të jetës sociale”.

Çfarë duhet të bëjmë? Çfarë duhet të konsumojmë? Çfarë duhet të përdorim për të mos qenë të infektuar? Ky bombardim i menjëhershëm me të panjohura dhe informacione njëkohësisht, ka bërë që njerëzit të jenë më të rënduar psikologjikisht. Hulumtime të ndryshme tregojnë se njerëzit janë bërë më skeptikë ndaj përkujdesjes së higjienës dhe një sërë faktorëve me të cilët po mësohemi gjatë javëve të virusit.

Sociologu Tushi thotë se shfaqja globale e koronavirusit është mbase një nga ngjarjet me efekt të gjerë jo vetëm socio-sanitar por dhe me ndikim të zgjeruar psikologjik. Sipas sociologut dimensionet e këtij interferimi ndikues në ndryshimin e tipologjisë së sjelljes individuale dhe komportimit social, duke qenë se jemi në valën e betejës me Covid-19, akoma nuk janë të qarta. “Përgjigjet shteruese janë të vështira për t’u thënë kur jemi në “zjarrin e betejës” dhe kur ndikimet polivalente të virusit kanë vënë me “shpatulla për muri” jo vetëm mjekët por edhe sociologët. Me sa duket në një farë distance, gjërat do të duken më qartë dhe vlerësimet e ndryshimeve sociale do të jenë më të dukshme,” shprehet Tushi për Gazetën “Si”.

Psikologia Ariana Muçaj, shprehet se frika me të cilën po përballemi është një faktor shumë i rëndësishëm në ndryshimin e sjelljes tek njeriu.

“Frika ashtu si dhe dënimi që marrim kur bëjmë një gabim janë të ngjashëm në ndikimin psikologjik tek individi. Nëse duam të jemi të lirshëm në sjelljen tonë në kohën e virusit e kemi të pamundur të mos shoqërohemi nga emocioni i frikës, i cili thellë në psikikën tonë do të nxisë veprimin e kundërt të sjelljes së zakonshme. Si për shembull: ecja do të jetë e izoluar në individualitetin njerëzor, e reflektuar me distancën sociale që secili prej nesh do të ruajë. Takimi me miqtë do të jetë për pak minuta dhe bisedat nuk do të kryhen aq gjatë në pragun e derës kur të largohemi”, i tha Muçaj Gazetës “Si”.

Sistemi imunitar i sjelljes

Ashtu si pjesa më e madhe e psikologjisë njerëzore, këto përgjigje ndaj sëmundjes duhet të kuptohen në kontekstin e parahistorisë. Para lindjes së mjekësisë moderne, sëmundja infektive do të kishte qenë një nga kërcënimet më të mëdha për mbijetesën tonë. Sistemi imunitar ka disa mekanizma të mahnitshëm për të gjuajtur dhe vrarë ata “pushtuesit” patogjenë. Fatkeqësisht, këto reagime na lënë të ndihemi të përgjumur dhe letargjikë – do të thotë se paraardhësit tanë të sëmurë do të kishin qenë në gjendje të ndërmarrin veprimtari thelbësore, si gjuetia, grumbullimi ose lindja e fëmijëve.

Të jesh i sëmurë është gjithashtu e kushtueshme fiziologjikisht. Rritja e temperaturës së trupit gjatë një ethe, për shembull, është thelbësore për një reagim efektiv imunitar – por kjo rezulton në një rritje prej 13% të konsumit të energjisë së trupit. Kur ushqimi ishte i pakët, kjo do të kishte një ngarkesë serioze. Çdo gjë që zvogëlon në radhë të parë rrezikun e infeksionit duhet të ketë ofruar një avantazh të veçantë mbijetese. Për këtë arsye, ne kemi evoluar një grup përgjigjesh psikologjike të pavetëdijshme; një lloj “sistemi imunitar të sjelljes”, i cili vepron si një linjë e parë e mbrojtjes për të zvogëluar kontaktin tonë me patogjenë të mundshëm. Reagimi në formën e neveritjes që ne kemi është një nga komponentët më të dukshëm të sistemit imunitar të sjelljes.

Psikologia Muçaj shpjegon për Gazetën “Si” se duke qenë se jemi në kontakt të vazhdueshëm me informacionet rreth virusit padyshim që frika do të jetë shoqëruesi ynë për një periudhë të gjatë kohore dhe kjo do t’i bëjë dhe më të pranueshme reagimet tona sjellore ndaj njëri-tjetrit. Ajo shpjegon se izolimi po na tregon hapur se individualiteti po fiton ndjeshëm ndaj sjelljes kolektive që shoqëria shqiptare ka në karakterin e saj.

Vigjilencë morale

Pse sistemi imunitar i sjelljes do të ndryshonte mendimin tonë në këtë mënyrë? Në analizën e BBC, argumentohet se shumë nga rregullat tona të heshtura sociale – siç janë mënyrat që ne mund dhe nuk mund të përgatisim ushqim, sasinë e kontaktit shoqëror apo mënyrën se si varrosim njerëzit – mund të ndihmojnë për të zvogëluar rrezikun ndaj infeksionit. “Gjatë gjithë historisë njerëzore, shumë norma dhe rituale shërbejnë për këtë funksion të përballimit të sëmundjeve. Njerëzit që përputhen me këto norma i bënë një shërbim të madh shëndetit publik, ndërsa njerëzit që shkelën ato norma jo vetëm që e rrezikojnë veten, por të tjerët. Ndaj është edhe e dobishme të bëhemi më të respektueshëm ndaj këtyre normave sjellore gjatë një epidemie”, shkruan BBC. E njëjta logjikë mund të shpjegojë pse bëhemi vigjilentë moralisht gjatë një epidemi.

Sociologu Tushi e shpjegon për Gazetën “Si” psikologjinë e njerëzve më thellë, duke e paraqitur atë në sjelljet shoqërore. Ai thekson se plagët që po sjell kjo pandemi duhen parë thellë, diagnozat duhen më të sakta dhe dukuritë që po shfaqen në jetën në “izolim social” duhen vlerësuar me kujdes në aspektin individual dhe social. “Unë besoj se shumë gjëra, vlera, module sjelljeje e paradigma kulturore që kemi trashëguar nga jeta, familja e shoqëria tradicionale, me siguri që do të ndryshojnë. Duke lehtësuar dhe zbehur “mullarin e vjetër” të zakoneve me të cilat kemi ndërtuar raportet tona me veten dhe tjetrin. Një raport i ri psikologjik e social i njeriut me veten, unin e tij, tjetrin dhe shoqërinë, me siguri që do shoqërohet me modele të reja edhe në strukturat e jetës dhe organizimet themelore të shoqërisë,” shprehet sociologu.

Ndër të tjera sociologu beson se, pasi të kalojë epidemia disa gjëra që kanë të bëjnë me përmirësimet e sjelljes individuale dhe shoqërore dhe standardet e reja të mënyrës si komprometohemi me të tjerët, do të bëhen objekt i diskursit shoqëror në të gjitha strukturat sociale të jetës dhe edukimit.

Sipas psikologes Muçaj, “sjellja po ndryshon edhe në rutinën e përditshme që nga higjiena personale si larja e duarve që ndoshta dje, edhe nuk e kryenim kaq rregullisht; por që tashmë edhe nëse nuk e zbaton, janë familjaret që ta vënë në dukje”. “Kjo sjellje është përforcuar ditë pas dite dhe do të vazhdojë edhe nëse virusi do të largohej një ditë. Forma e kërkimit të ndihmës përsëri ka ndryshuar pasi ky moment na tregoi të gjithëve se forma e komunikimit dhe bashkëpunimit në rrethana të tilla na bëjnë me njerëzorë në sjelljet ndaj njëri-tjetrit,” shprehet psikologia.

Në një qasje më të gjerë, sociologu Tushi shprehet se duket sikur po ikën koha e disa lloje solidaritetesh dhe socialitetesh të panevojshme apo të trilluara, nga kushte të tjera historike e kulturore të pangjashme me këto në të cilat është shoqëria postmoderne shqiptare. Sipas tij, teprimet janë të paarsyeshme dhe përtej nevojave të jetës moderne. Tushi thekson se tashmë kemi nevojë për norma të reja kulturore, higjienike, sociale e sanitare. Kemi nevojë për ekuilibrime të reja të jetës, që sot po bëhen gjithnjë e më të natyrshme dhe të vetëkuptueshme.