Danimarka lehtësoi disa nga masat e ndërmarra kundër koronavirusit duke hapur shkollat dhe qendrat shëndetësore, por frika për rikthimin e një vale të dytë të infektuarish ka detyruar mijëra prindër që t’i mbajnë fëmijët e tyre në shtëpi.

Ulja e rasteve të reja me koronavirus i dha mundësinë qeverisë të marrë disa masa lehtësuese, por ka hapur një debat të madh rreth mënyrës si barazohet nevoja e ristartimit të ekonomisë dhe sigurisë së shëndetit të qytetarëve të saj.

“Unë nuk do t’i dërgoj fëmijët e mi në shkollë çfarëdo që të ndodhë”, shprehet Sandra Andersen, krijuesja e një grupi në Facebook të quajtur “Fëmija im nuk do të jetë një kavie laboratori” që ka më shumë se 40 mijë ndjekës.

“Mendoj se shumë prindër janë duke pyetur veten se pse fëmija e tyre duhet të dalë jashtë i pari”, tha nëna e dy vajzave 5 dhe 9 vjeçare.

Masat shtrënguese nga koronavirusi në Danimarkë zgjatën për rreth një muaj dhe si pasojë e tij u infektuan 6600 persona, 330 prej të cilëve humbën jetën.

Kryeministrja Mette Frederiksen mbrojti masat e marra së fundmi duke thënë se të gjitha mbështeten në rekomandimet e autoriteteve shëndetësore. Sipas saj, rikthimi i fëmijëve në shkolla do t’iu lejonte prindërve të shkonin në punë dhe ekonomisë të vihej në lëvizje.