“Emerging Europe” shkruan se Shqipëria ka arritur të mbajë në minimum numrin e personave të infektuar nga COVID-19, dhe kjo për shkak të masave të rrepta të aplikuara për parandalimin e përhapjes qarkullimin e njerëzve.“Emerging Europe” analizon të dhënat nga vendet e Europës Qendrore, Lindore dhe Jugore dhe arrin në përfundimin se sa më të ashpra masat, aq më të ulëta janë shifrat e të infektuarve.

“Vendet e Europës Qendrore, Jugore dhe Lindore si Shqipëria, Bullgaria, Gjeorgjia, Hungaria dhe Sllovakia që ndoqën masa strikte për të parandaluar përhapjen e COVID-19, duket se po e mbajnë në minimum numrin e personave të infektuar, ndërsa ato vende të cilat aplikuan masa më të lehta po shikojmë shifra alarmante të të prekurve nga COVID-19”, thuhet në artikullin e publikuar një ditë më parë.

Sipas “Emerging Europe”, në vendet të cilat u aplikuan masa më të lehta kufizuese, si Rumania, me kufijtë dhe aeroportet ende të hapura, virusi është shpërndarë ndjeshëm.“Rumania, e cila aplikoi masa më të lehta, ku kufijtë dhe aeroportet janë ende të hapura – tani është më e prekura nga pandemia e koronavirusit në Europën në zhvillim, të paktën për sa i përket numrit të vdekjeve, të cilat shkuan në 162 gjatë fundjavës”, thuhet në artikull.