Doktor Arben Gjata, kreu i Task Forcës anti COVID-19, deklaroi në një lidhje direkte me “Ditari” në A2 se vendi ynë është më mirë sesa skenari më i mirë që ishte parashikuar nga specialistët.

“Jemi më mirë sesa skenari më i mirë që kishim parashikuar. Në fillim të epidemisë, prisnim disa shifra të tjera, por falë masave dhe ndërgjegjësimit të popullatës, kemi shifra më të mira sesa parashikimet më pozitive që kemi patur”, theksoi Gjata.

Por, sipas tij, njerëzit duhet të bëjnë kujdes dhe të mos u rikthehen ende vizitave nëpër shtëpi apo pjesëmarrjeve nëpër funerale.

“Ajo që kanë në dorë qytetarët është distancimi social dhe ruajtja e higjienës personale. Para se të nisim hapjen, qytetarët duhet të jenë super të ndërgjegjësuar për ruajtjen e distancimit social”, nënvizoi Gjata.

Sipas tij, “të dhënat tregojnë se sot kemi ¼ e dy spitaleve me pacientë të shtruar”, por u shpreh se rihapja e aktiviteteve mund të japë një goditje më të rëndë sesa goditja e parë.

“Kemi dy spitale Covid dhe kishim parashikuar edhe dy godina të tjera. Sot, mund të mbaheshim edhe vetëm me një spital. Besoj që e kemi kaluar pikun, por nuk jemi kurrë të sigurt që me rihapjen e aktiviteteve të mos marrim një goditje tjetër që të mos jetë shumë më e rëndë se e para”, tha Gjata.