Nëntë grupe epidemiologësh janë të shpërndarë vetëm në rajonin e Tiranës për të identifikuar çdo rast të prekur nga koronavirusi.Ata janë të parët që vihen në kontakt me personat që dyshohet se janë prekur nga virusi pandemik.Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu pati një takim me epidemiologët e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Tiranë, ku vlerësoi punën e tyre.

“Po bëhet një punë organizative nga të gjithë strukturat e njësive vendore të kujdesit shëndetësor në të gjithë Shqipërinë për të evidentuar, për të gjurmuar, për identifikuar dhe për të bërë gjithë hetimin epidemiologjik, për t’i dhënë gjithë informacionin e nevojshëm Institutit të Shëndetit Publik e më pas për të marrë ato të dhëna të cilat janë të rëndësishme për të kuptuar situatën në terren, në mënyrë që ne të jemi shumë më të qetë për të marrë vendimet e duhura përsa i përket vijimit të masave shtrënguese”.

Ministria e Shëndetësisë apeloi për respektim të distancimit fizik si një mënyrë e mirë për të frenuar përhapjen e virusit.“Duhet të vijojmë të ruajmë distancimin fizik, duhet të vijojmë që të mbajmë higjienën personale dhe të moshuarit duhet të vijojnë të rrinë në banesë”.

Sipas të dhënat që vijnë nga terreni, situata e përhapjes së COVID-19 në vendin tonë duket e qëndrueshme, ndërsa vijon puna për gjurmimin e te gjitha rasteve.