24 çështje dhe vetëm dy orë në dispozicion, deputetë të armatosur me doreza, maska e dezinfektantë dhe të shpërndarë në çdo cep të parlamentit dhe personel i reduktuar i gardës, kjo do të jetë pamja që seanca e sotme plenare e Kuvendit do të ofrojë pas më shumë se një muaj shkëputje për shkak të COVID-19.

Sot mblidhet për herë të parë Kuvendi pas masave shtrënguese dhe kufizuese të marra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Në 120 minuta do të diskutohen 24 nisme ligjore që nga ndryshimet në Kodin Penal, aktet normative të Ministrisë së Shëndetësisë për masat ndaj COVID-19, rishikimi i buxhetit të 2020, lirimin e një kategorie të dënuarish, për shtyrjen e pagesës së këstit të tatimit mbi të ardhurat për bizneset, dy dekretet e presidentit Meta për kthim në Kuvend të ligjit për pronat dhe paketën Anti- Shpifje për pjesën që i takon OFL për sekuestrimin e pasurive. Po ashtu pritet të votohet edhe shtyrja të veprimtarisë së komisionit për Reformën Zgjedhore që duhet të kishte përfunduar më 15 marsi.

Seanca do të mbahet nën rregulla për t’u mbrojtur deputetët, për të cilët do të sigurohet distanca 1.5 metër largësi dhe do të pajisen me maska dhe doreza. Asnjë deputet nuk do të dalë në podium. Ligjvënësit do të qëndrojnë sa më larg njëri-tjetrit, disa në lozha dhe në vendin ku rrinë mediat. Në sallë do lejohen vetëm tre kameramanë të TVSH, ndërsa seanca nuk do të zgjasë më shumë se dy orë.