Bashkia Bulqizë vazhdon operacionin humanitar për familjet në nevojë si dhe ndihmën për moshat e treta dhe pensionistë që jetojnë vetëm.

Kryetari i Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla tha se UNDP ishte partneri i radhës që u gjend pranë në aksionin humanitar për të ndihmuar familjet në nevojë.

“Aksioni humanitar për të ndihmuar familjet në nevojë vijoi edhe gjatë kësaj fundjave. Falë kontributit të UNDP Abania përmes programit “Leave No One Behind/Askush të mos mbetet pas”, u shpërndanë ndihma për 50 familje në nevojë”, shprehet Alla.

Kryetari i bashkisë Alla tha se ndjehet “mirënjohës pafundësisht ndaj gjithkujt që kontribuon për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevoja!Ky është momenti për solidaritet”. “Së bashku do t’ia dalim”, u shpreh ai.

“E veçanta e kësaj here ishte se u ndihmuan kryesisht familjet e fëmijëve me aftësi ndryshe. Aksioni ynë do të vijojë në çdo njësi, fshat e familje në nevojë”, tha ai.

Po ashtu, Alla iu bëri thirrje qytetarëve të vazhdojnë respektimin e masave të distancimit social dhe të qëndrimit në shtëpi edhe pse ka nisur lehtësimi i lëvizjes.