Nga George Soros

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se Evropës do t’i duhen rreth 1 trilion € (1.1 trilion dollarë) për të luftuar pandeminë COVID-19. Këto para mund të përdoren për krijimin e një fondi evropian rimëkëmbjeje. Por nga do të vijnë këto para?

Unë propozoj që Bashkimi Evropian të mbledhë paratë e nevojshme për Fondin e Rimëkëmbjes duke shitur “bono të përhershme”, mbi të cilat principali nuk ka nevojë të shlyhet (megjithëse ato mund të riblihen ose shlyhen me diskrecionin e lëshuesit). Autorizimi i këtij emetimi duhet të jetë përparësia kryesore për samitin e ardhshëm të Këshillit Evropian më 23 prill.

Sigurisht, do të ishte e pashembullt për BE-në emetimi i bondeve të përhershme, veçanërisht në një sasi kaq të madhe. Por qeveritë e tjera janë mbështetur në obligacione të përhershme në të kaluarën. Shembulli më i njohur është Britania, e cila përdori bono të konsoliduara (Consols) për të financuar luftërat e Napoleonit dhe bonot e luftës për të financuar Luftën e Parë Botërore. Këto letra me vlerë u tregtuan në Londër deri në 2015, kur të dyja u riblenë. Në vitet 1870, Kongresi Amerikan autorizoi Thesarin të lëshojë bonot speciale Consols për të konsoliduar bonot ekzistuese, dhe ato u emetuan në vitet pasuese.

BE po përballet me një luftë për herë të parë, kundër një virusi që po kërcënon jo vetëm jetën e njerëzve, por edhe mbijetesën e vetë Unionit. Nëse shtetet anëtare fillojnë të mbrojnë kufijtë e tyre kombëtarë madje edhe nga vendet e tjera anëtare të BE-së, kjo do të shkatërronte parimin e solidaritetit mbi të cilin është ndërtuar Unioni.

Përkundrazi, Evropa duhet të përdorë masa të jashtëzakonshme për të përballuar një situatë të jashtëzakonshme që po godet të gjitha vendet anëtare të BE-së. Kjo mund të bëhet pa frikën e krijimit të një precedenti që mund të justifikojë emetimin e borxhit të përbashkët të BE-së pasi të jetë rikthyer normaliteti. Emetimi i obligacioneve që mbartin besimin e plotë dhe kreditet e BE-së do të siguronte një miratim politik të asaj që tashmë ka bërë Banka Qendrore Evropiane: heqjen praktikisht të të gjitha kufizimeve në programin e saj të blerjes së bonove.

Obligacionet e përhershme kanë tre avantazhe shtesë që i bëjnë ato të përshtatshme për këto rrethana.

Për fillestarët, avantazhi qëndron në faktin se obligacionet e përhershme nuk duhet të paguhen, ato do të vendosnin një barrë fiskale çuditërisht të lehtë për BE-në, megjithë fuqinë e konsiderueshme financiare që do të mobilizonte. Për më tepër, BE-ja nuk do të duhet t’i rifinancojë ato kur t’u mbarojë afati, të bëjë amortizimin e pagesave, apo edhe të lërë para mënjanë (për shembull, në një fond të veçantë) për shlyerjen e tyre eventuale.

BE do të kishte thjesht detyrimin të bënte pagesa të rregullta të interesit mbi to. Një bond i përhershëm prej 1 trilion euro me një kupon 0,5% do t’i kushtonte buxhetit të BE-së vetëm 5 miliardë euro në vit. Kjo është më pak se 3% e buxhetit të BE-së për vitin 2020.

Avantazhi i dytë është më teknik, por pothuajse po aq i rëndësishëm. Tregu mund të mos jetë në gjendje të përvetësojë një emetim prej 1 trilion eurosh njëherësh. Duke emetuar një bond të përhershëm, BE-ja mund ta rrisë këtë shumë me këste, pa krijuar një bond të ri çdo herë.

Avantazhi i tretë është se një bond i përhershëm i emetuar nga BE do të ishte një aset shumë tërheqës për programet e blerjes së bonove të BQE-së. Meqenëse maturimi i një bondi të përhershëm është gjithmonë i njëjtë, BQE-së nuk do t’i kërkohej të ribalanconte portofolin e saj.

BE-ja nuk ka nevojë të krijojë ndonjë mekanizëm ose strukturë të re për të emetuar obligacione, sepse BE ka emetuar bono në të kaluarën. Të ardhurat duhet të përdoren për investime dhe grante në lidhje me luftimin e pandemisë. Komisioni Evropian do t’i shpërndante fondet drejtpërdrejt ose përmes vendeve anëtare dhe institucioneve të tjera (siç janë qeveritë lokale) që janë të përfshira direkt në luftimin e pandemisë COVID-19.

Çrregullimi i shkaktuar nga pandemia duhet të jetë i përkohshëm, por vetëm nëse drejtuesit e Evropës marrin masa të jashtëzakonshme të nevojshme për të shmangur dëmtimin afatgjatë në BE. Kjo është arsyeja pse Fondi i Rimëkëmbjes së BE-së është kaq i nevojshëm. Financimi i saj me obligacione të përhershme është mënyra më e lehtë, më e shpejtë dhe më pak e kushtueshme për ta krijuar atë.