Albin Kurti vendosi ta shkarkojë nga detyra këshilltarin e tij Shkëlzen Gashi, i cili përndezi akoma dhe më keq ambientin e nxehtë politik në Kosovë, me deklarimet e tij për krime ndaj civilëve nga ana e elementëve në UÇK por jo dhe vetë UÇK-së.

“Sot e kam takuar dhe më pas e kam liruar nga detyra këshilltarin tim politik, z. Shkëlzen Gashi.Disa deklarata të djeshme të tij patën pasoja shpërqendruese nga puna e mirë e qeverisë në detyrë. Konsideroj që është më mirë që debatin në të cilin është përfshirë ai të mos e bëjë nga pozita e këshilltarit tim. E falenderoj për kontributin e dhënë. E çmoj për mendimin kritik. Ka aq shumë gjëra për të cilat pajtohemi në të tashmen, ka edhe të atilla për të cilat nuk pajtohemi nga e kaluara.Gashi nuk është një bashkëbisedues i lehtë. Nga kjo vështirësi kam mësuar”, shkroi Kurti në FB, duke dhënë të kuptuar se i ka shkaktuar kokëçarje të shumta me qëndrimet e tij publike.