24 raste të reja janë regjistruar me koronavirus gjatë orëve të fundit në vendin tonë duke e çuar në 518 totalin e të infektuarve.

Rastet e reja janë konfirmuar nga Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë seancës së jashtëzakonshme në Kuvend.

“Nesër bëjmë 40 ditë që po përballemi me Covid 19, vendimet e marra në kohën e duhur nga qeveria shmangën atë që quhet krizë apo kolaps. Në këtë luftë shembull i përsosur kanë qenë shumica e qytetarëve duke u mbrojtur e duke mos i lënë kohë të na infektonte, ndërsa heronjtë tane janë mjekët, infermierët, epidemiologët, punonjësit e urgjencës kombëtare, i shpreh mirënjohjen. 518 të prekur nga COVID 19 numërohen sot”,- tha Manastirliu.

“Në dy spitalet Covid në vend vetëm 14% e kapacitetit janë të zënë, kemi aktualisht 12 pacientë në terapi intensive dhe 4 në intubim. Nuk kemi asnjë mungesë në mjekim dhe logjistikë, ndërkohë që vazhdojmë punën me intensitet në terren”– tha ajo.

Manastirliu theksoi se “Lajm inkurajues është se numri I të shëruarve prej 5 ditësh e kalon atë të të infektuarit aktiv, shenjë e mirë, por jo koha për bilanc se jemi në kushte të vështira dhe lufta nuk ka mbaruar. Në 40 ditë kemi sheshuar kurbën, kemi gjurmuar rastet dhe kemi trajtuar cdo rast, puna në terren nuk po ndalet”- tha ajo.