Është zbardhur Aktin Normativ i miratuar nga qeveria dhe që ka hyrë në fuqi. Akti normativ ka për qëllim përcaktimin dhe forcimin e zbatimit të rregullave, të vendimeve, të urdhrave dhe të udhëzimeve të nxjerra nga organet kompetente, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, për parandalimin dhe luftimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19. Ky akt normativ ka karakter të përkohshëm dhe zbatohet për aq kohë sa zgjat periudha e infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.

Kush organizon protesta, ndeshje apo konferenca 5 mln lekë gjobë
Subjektet apo individët që organizojnë zhvillimin e aktiviteteve publike dhe jopublike, si aktivitete sportive, kulturore dhe konferenca, apo grumbullimet masive në vende të mbyllura apo të hapura, si koncerte, tubime dhe dëgjesa publike, dënohen me gjobë në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë për organizatorët dhe ndalimin e aktivitetit.

Kush eksporton barna e pajisje mjekësore pa autorizim, gjobë 5 mln lekë dhe sekuestro
Subjektet që eksportojnë barna dhe pajisje mjekësore nga Republika e Shqipërisë, pa autorizim të posaçëm të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për kryerjen e këtij aktiviteti, dënohen me gjobë në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë dhe iu sekuestrohet e gjithë sasia e barnave/pajisjeve mjekësore. Në rast përsëritjeje, masave të mësipërme iu shtohet edhe ndalimi i eksportit të barnave/pajisjeve mjekësore, deri në 6 muaj.