“Martesa” mes PSG dhe Thiago Silva duket drejt fundit. Kapiteni e përfundon kontratën këtë verë dhe për momentin nuk ka sinjale rinovimi mes palëve. “Interesi i Thiago është të qëndrojë në Paris, por kjo nuk varet nga ai. Ai ka një dashuri të veçantë për Milanin, por nuk kemi qenë në kontakt me drejtuesit kuqezinj. Klube të tjera na janë afruar, por tani për tani nuk kemi hapur asnjë negociatë”. Këto janë fjalët e agjentit të tij, Paul Tonietto, në të cilat shpjegoi cilat ishin synimet e tij, disa ditë më parë.

Sidoqoftë, “Mundo Deportivo” shpjegon se 35-vjeçari brazilian do të donte “të dilte në pension”, pasi kishte luajtur së bashku me Leo Messin (të cilin, gjithmonë e ka admiruar në publik). Diçka të tillë mund ta bëjë vetëm duke veshur fanellën e Barçës, pasi nuk duket se argjentinasi do të largohet nga qyteti i Barcelonës në çdo rrethanë. Thiago Silva do të hidhte poshtë në këtë mënyrë çdo ofertë nga Europa, Kina, ose SHBA. Qendërmbrojtësi do të refuzonte shuma të majme parash vetëm për të luajtur me “10” e katalanasve.

Nëse do të ishte ky rasti, dhe përkundër faktit se nuk ka pasur kontakte midis klubeve, ose me lojtarin, Barça do të merrte një qendërmbrojtës garancie dhe me përvojë. Sidoqoftë, mosha e tij nuk duket se është mënyra më e mirë për rinovimin e një reparti, i cili ka pikë kryesore në atë pozicion Gerard Piqué, që tashmë është 33 vjeç.

Blaugrana-t e donin brazilianin kur luajti te Milani, madje edhe kur ishte pjesë e PSG. Italianët i ofruan një pagë më të mirë në kohën e tij te kuqezinjtë, ndërsa francezët hodhën poshtë çdolloj mundësie largimi, kur Barcelona donte të negocionte për të. Tani, dalja lojtar i lirë në verë e bën Thiago Silva një lojtar të dëshiruar nga të gjithë, megjithëse dyshimet nëse performanca e tij do të jetë optimale për shkak të moshës së avancuar janë të pashmangshme.