Nga Artur Ajazi/

Lulzim Basha, nuk do ta kishte menduar kurrë, që do të vinte një ditë që karrigia e tij e kryetarit të Partisë Demokratike, të ishte në rrezik të madh, dhe kjo jo nga Rama, por nga organizuesi i mitingut të 2 Marsit. Realisht Lulzimi është në hall të madh, pasi ai gjendet sot nën pabesinë e Doktorit, dhe trysninë e Ilir Metës. Lëvizja e tij me “letra ambasadores” dhe rikthimi tek “Babalja” tregojnë hapur ankthin e Lulzimit, dhe hallin e madh që ka mbërthyer jo vetëm atë, por gjithë Partinë Demokratike. Pas 2 Marsit, kredencialet dhe “aksionet” e Lulzimit tek Doktori (që akoma ka fuqi urdhëruese në atë parti) janë ulur ndjeshëm, edhe pse ai po përpiqet të nisë turin e pranverës, duke dashur të sqarojë dëshpërimisht bazën e boshatisur të partisë. Vajtja e Lulzimit në Shkodër, jo vetëm ka ndezur zemëratën e atyre pak demokratëve që kanë mbetur atje, por ka nxitur më shumë urrejtjen ndaj partisë, e cila sipas tyre “nuk është në gjendje të organizojë jo vetëm strukturat, por as mitingje kundër qeverisë”.

Partia Demokratike ka rënë në hall vërtetë të madh. Doktori në heshtje, por dhe në distancë, po pergatit dukshëm largimin e Lulzimit. Thuhet se “brënda pak muajsh do të mblidhet Kuvendi për të realizuar zgjedhjen e kryetarit të ri”, por gjithsesi Lulzimi mbetet “shpresëplot” se do t’ja dalë. Ajo ç’ka po ndodh realisht mes Doktorit dhe Metës, mund të përmblidhet në një fjali “ një mik i mirë në ditë të vështirë”. Dhe realisht ata të dy gjenden në ditë të vështira, dhe ndoshta Lulzim Basha do të jetë “gjahu” i betejës dhe produkti i miqësisë së hershme, që bazohet mbi interesa të vjetra mes tyre. Futja si “pykë” mes Partisë Demokratike dhe borxhet e vjetra, kanë bërë që Ilir Meta të shihet si rreziku kryesor i asaj force politike në zgjedhjet e ardhshme. Askush nuk e beson, se Meta ka shanse dhe fuqi të mundë Edi Ramën, në betejën e nisur, e cila sa vjen dhe bëhet edhe më e ashpër.

Letra e Metës drejtuar Brukselit , duke kërkuar rishikimin (apo pengimin) e hapjes së negociatave me BE, mbetet për shumicën e sejmenëve dritëshkurtër të SHQUP-it, “një goditje e madhe ndaj qeverisë Rama”, ndërkohë që ka zëra, që nuk e mbështesin, dhe e quajnë “kurth që kërkon të godasë dhe të bëjë ortak në skandal edhe Lulzim Bashën”. Por edhe letra e nisur për ambasadoren e SHBA zonjën Kim, ku “viktimizohet Babalja dhe ish-deputeti Salianji”, mbetet jo vetëm papjekuri politike e Lulzimit, por dhe tentativë e dështuar për të njollosur qeverisjen dhe sistemin e ri të drejtësisë. Loja dhe “lufta” me letra bakalli, nuk mund ta dëmtojnë as imazhin e vendit, por dhe nuk mund të pengojnë procesin e reformave, që mbështeten fuqishëm nga SHBA dhe BE. Gjithçka ka mbetur nga “beteja” e Ilirit për të “mbrojtur Kushtetutën” , është halli i madh që ka pllakosur Partinë Demokratike. Ajo sot gjendet në udhëkryqin më të rrezikshëm të saj, edhe për faktin se jo vetëm miku i Ilirit (Doktori) por edhe baza e saj e shterruar po bëhen lolo në duart e një presidenti në ikje, që në konferenca shtypi mbeti duke treguar “vijën e kuqe” të cilën ai ka kohë që e ka shkelur bashkë me ligjet e këtij vendi.