Alfred Peza

Besoj se pakkush mund ta ketë harruar që plot 16 vjet më parë, Ilir Meta u shkëput nga Partia Socialiste për të themeluar Lëvizjen Socialiste për Integrim. Motoja kryesore e saj ishte bërja e gjithçkaje që duhej, për integrimin euro-atlantik të Shqipërisë. Ndaj, shumëkush mund të jetë zhgënjyer më shumë se me lidërët e tjerë politikë në vend, kur mediat shkruan se Presidenti i tyre, i paskërkësh shkruar një letër Brukselit për të penguar hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian!Ilir Meta kishte dhënë shenjat edhe më parë për këtë qasje, kur përshembull vitin e kaluar deklaroi se nëse nuk do të zhvilloheshin zgjedhjet më 13 tetor (dekret të cilin e ka harruar prej shumë kohësh tashmë) atëherë Shqipëria do të kishte zero shanse për të marë çeljen e negociatave, sëbashku me Maqedoninë e Veriut. Por kjo ishte thjeshtë një deklaratë, e cila humbi e u harrua disi brenda një bashkësie të stërmadhe deklaratash “interesante”, të bëra nga Kreu i Shtetit muajt e fundit.Tani që shqiptarët panë në media, të shkruar të zezë mbi të bardhë, një shkresë tri faqëshe e cila mbante në fund emrin dhe firmën e Presidentit të Republikës, me siguri që kanë patur shumë herë më tepër arësye për tu ndjerë të trazuar. Aq më shumë kur edhe përpara, edhe pas protestës politike të 2 marsit në bulevardin e Tiranës, Ilir Meta në diskursin e tij publik ishte munduar që ta paraqiste veten si njeriu që në gjithçka që bën, ka një dhe vetëm një ëndërr, një synim dhe një motiv: Ta bëjë Shqipërinë, si gjithë Europa!

Trazimi lind natyrshëm nëse kemi parasysh:E para, se letra e Ilir Metës i ishte nisur komisionerit për zgjerimin Oliver Varhelyi vetëm një ditë pasi Komisioni Europian kërkoi çeljen e negociatave mes BE dhe Shqipërisë. E kjo mund ti ketë habitur jo pak zyrtarët e Brukselit, të cilët ndoshta për herë të parë mund të jenë ndeshur me një qasje të tillë kur ata vetë i thonë po një shteti aspirant, ndërsa kreu i tij i shkruan atyre për të kundërtën.E dyta, sepse komunikimi me shkreza zyrtare është i tillë që detyron institucionet dhe përfaqësuesit e tyre, që ti ruajnë në arkiva këto lloj letrash e korrespondencash. E për rrjedhojë, jo vetëm sot, por ajo nuk do të dukej mirë as në të ardhmen, kur ndoshta një ditë të shkruhet historia e këtij procesi dhe Shqipëria të jetë ndoshta një shtet i ri anëtar i Bashkimit Europian.Pas kësaj, çdokush mund të nisë e të bëhet më i kujdesshëm për të lexuar e parë më mirë, raportin mes asaj që thotë, asaj që synon dhe asaj që bën Ilir Meta. Sidomos e parë kjo, edhe në kontekstin e zhvillimeve të fundit politike në vend, ku ai ka një aktivitet dukshëm shumë herë më të shtuar se në periudha të tjera të presidencës, apo karrierës së tij të gjatë politike.E në këto kushte, një qytetar i thjeshtë me siguri që do të mundohet të kuptojë se çfarë ka në të vërtetë në mendje, apo çfarë synon realisht Ilir Meta kur thotë se në Shqipëri ka ndodhur një “grusht shteti” dhe se ai po del nga Presidenca në rrugë, për tu përballur dhe për ta çmontuar atë!

Apo kur thotë se është i gatshëm që të dëgjojë zërin e qytetarëve për ti udhëhequr një “revolucion popullor”! Se jo ai vetë, por është mazhoranca e Kreministrit Edi Rama ajo që po tenton ta kapi Gjykatën Kushtetuese, tani në prag të vendimit të Parlamentit për shkarkimin e tij! E kështu me radhë.Ndaj, në këto kushte gjithkush ndoshta do të mendohet të paktën dy herë pas kësaj, përpara se të gjykojë e peshojë ashtu siç duhet, raportin mes fjalës dhe veprave. Mes retorikës dhe praktikës. Mes asaj që thotë dhe asaj që bën Ilir Meta, në këtë periudhë kur ka marë edhe flamurin e betejës politike të radhës, kundër mazhorancës së Kryeministrit Edi Rama.E ajo që kanë kuptuar më së shumti sot qytetarët kur kanë parë të shkruar në anglisht, të kundërtën e asaj që Presidenti i Republikës së tyre predikon 24 orë në shqip, është se e gjitha çfarë u thuhet nga Ilir Meta nuk është plotësisht ashtu siç duket. Sesa të ndryshme apo të kundërta janë ato, pas letrës së tij të fundit, gjithkush e ka tashmë një doracak për ta kuptuar siç duhet këtë!