Nga Skënder Minxhozi/Ka filtruar këto orë një informacion deri diku sqarues, për opinionin e Komisionit të Venecias, i cili duket se i jep të drejtë Presidentit Meta, në sherrin me qeverinë dhe KED, për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Duke e marrë të mirëqenë se për të pasur një opinion përfundimtar duhet lexuar i gjithë materiali i ekspertëve të Komisionit, e jo vetëm pjesë të tij të shpërndara sipas orekseve të protagonistëve të konfliktit, duhet marrë parasysh edhe rrethana në të cilën ky forum prestigjioz do t’i japë të drejtë njërës apo tjetrës palë.

Ekstraktet e botuara nga opinioni na thonë se Komisioni i Venecias i jep të drejtë në linja të përgjithshme qëndrimit të kreut të shtetit për çeshtjen e emërimeve dhe hedh dyshime mbi pozitën e KED. Dhe këtu s’ka asgjë për t’u habitur. Ashtu siç hodhi poshtë hapur dhe qartë shtyrjen e zgjedhjeve nga Meta në 30 qershor, këtë rradhë fare mirë Venecia mund t’i japë të drejtë presidentit në sherrin për Kushtetuesen.

Dhe nëse ky do të jetë vërtetë rasti, është mirë që qeveria dhe të gjithë aktorët përreth saj, ta venë shpirtin në paqe e të reflektojnë rreth konfliktit për Gjykatën Kushtetuese. Jo për shkak të ndonjë frike, se më 15 mars Ilir Meta do të zbarkojë në parlament, për t’i nxjerrë jashtë me ceremoni deputetët nga salla. Ky kërcënim folklorik nuk tremb askënd. Ilir Meta mund ta shpërndajë parlamentin, po aq sa Federata e Futbollit mund ta shkërkojë Ilir Metën!

Nuk ka asnjë dramë, që të pranosh të hedhësh një hap prapa. Përkundrazi, tregon pjekuri dhe ekuilibër, nga pozita e atij që ka pushtetin dhe fuqinë në dorë. Nevoja për reflektim dhe zgjidhje buron edhe nga raporti korrekt që duhet vendosur me Komisionin e Venecias, në mungesë të një pike tjetër referimi të këtij niveli. U bënë vite që Shqipëria s’e ka Gjykatën e saj Kushtetuese. Nëse delegjitimojmë edhe Komisionin e Venecias, nuk mbetet më asnjë arbitër i besueshëm për sherret idiote të politikës shqiptare. Dhe të tilla mesa duket, do të ketë sërish në të ardhmen.

Me mospranimin e dekreteve të ministrave një vit e ca më parë, Presidenti e ka bërë të komplikuar procesin e betimit të zyrtarëve të lartë në Presidencë. Arbitrariteti i tij në këtë pikë e ka nxjerrë prej kohësh Presidencën nga roli kushtetues që ka. Megjithatë kriza politike mes maxhorancës dhe kreut të shtetit ka një arbitër të pranuar nga të gjitha palët. Dhe opinionet e tij, që formalisht s’janë vendime, duhen dëgjuar njëlloj si të ishin të tilla. Ndryshe mbetet vetëm të ftojmë Papa Françeskun, të vijë të zgjidhë sherret në Tiranën politike!Që Meta do të sillej kështu, duhej menduar kur u zgjodh, jo tani. Tani është vonë.