Kuvendi miratoi sot me 94 vota pro, 8 abstenime dhe 4 vota kundër projektligjin “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.Pak para miratimit të këtij projektligji, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se “ky projektligj mban një angazhim që ka të bëjë me legalizimin e plotë të të gjitha banesave dhe çdo lloj investimi tjetër të kryer nga çdo familje që jeton në fshat”.“Kjo do të garantojë që të gjitha familjet që kanë një investim në fshat, ky investim t’u legalizohet. Këtu bën përjashtim çdo lloj investimi i kryer në zona me përparësi turizmin, pranë veprave kryesore të infrastrukturës publike, akseve kombëtare, ndërtimet në oborret e shkollave dhe me territoret e destinuara për investime publike”, – tha Balla.Po ashtu Balla tha se nga ky projektligj përfitojnë 220 mijë familje në gjithë Shqipërinë që kanë 30 vjet që mbajnë në duar AMTP-të, ndërkohë që nesër do të marrin certifikatat e pronësisë.“Të gjithë ata që prej 30 vitesh kanë shtëpitë e ndërtuara para viteve ’90, por që nuk kishin asnjë copë letër për arsyet që dihen, edhe për shkak të problematikave që lidhen me sistemin e vjetër, t’i gëzojnë shtëpitë dhe oborret që kanë ndërtuar para viteve ’90!” – tha Balla.Një tjetër kategori përfituese, sipas tij, janë ata që kanë ndërtuar shtëpi me leje të organeve vendore në truall shtetëror.

“Paulin Stërkaj dhe unë kemi të njëjtin problem në zonat tona elektorale. Në Malësi të Madhe dhe në Librazhd tokat janë ndarë sipas sinoreve të vjetra dhe asnjë prej familjeve nuk ka pasur dot certifikatë pronësie për shkak të këtij problemi. Ky problem merr sot një zgjidhje përfundimtare dhe secili që ka tokën në përdorim prej sot është pronar i tokës dhe ta gëzoj”, – theksoi Balla.Po ashtu, ai tha se “legalizohen të gjitha shtëpitë në fshat dhe këtë e mundëson amendamenti dhe sqarimi përkatës”.Kategori tjetër përfituese, sipas Ballës, “janë të gjithë banorët që u ka humbur ndërtuesi, ka ikur në drejtim të paditur, apo nuk jeton më, të cilëve u legalizohen apartamentet që kanë dhe marrin certifikatën e pronësisë”.“E fundit, por që është dimensioni tejet social, prej sot kush nuk hyn në proces legalizimi nuk do të hidhet më në rrugë, por do të trajtohet mes gjithë politikave të mundshme sociale. Do të marrë një kompensim në bazë të vlerës së caktuar, do të regjistrohet dhe do të dëmshpërblehet për banesën që pengon një investim të rëndësishëm dhe nuk do të jetë më peng”, – tha Balla.