Është e vërtetë që ne marrim energji nga dielli. Fuqia dhe ngrohtësia e rrezeve të tij, ndikon në emocionet tona, duke rritur nivelin e entuziasmit. Dielli është energji, ngrohtësia që sjell pranvera është energji pozitive. Edhe natyra bëhet më e bukur në pranverë. Ka lule dhe sytha të vegjël nëpër pemë, fqinjët i kanë hequr palltot e rënda, mendimet bëhen me të freskëta, peshojnë më pak dhe në mëngjes vendos të hapësh të gjithë grilat e dritareve dhe ta lësh diellin të hyjë brenda. Marsi u fut sot, pranvera ka trokitur tashmë në zemrën tonë, dhe kjo ndjehet në ajër.

Me ndryshimin e stinëve, me ndryshimin e kohës dhe të temperaturave, vetëkrijojmë iluzionin, se ndryshojmë edhe ne, se përmirësohemi si natyra, se lulëzojmë si ajo, sepse ne frymojmë si pjesë e saj, jemi një me të. Ky iluzion, është një ushtrim i vogël vizualizimi në mëndjen tonë, por na bën të ndjehemi më mirë, dhe kjo është më e rëndësishmja. Dielli nuk do të fshihet më pas reve, është koha të lëmë pas zymtësinë dhe zonën e komfortit që dimri deri diku na imponon. Energjia e mirë sillet rreth nesh. Pranvera është pas deres, ajo po vjen me vrap, dhe po me këtë ritëm ne duhet të vrapojmë pas ëndrrave tona. Dielli është aleati ynë më i mirë. Kur nuk e kemi, kur nuk e shohim, duhet gjetur një mënyrë ta krijojmë brënda nesh, sepse ne mund t’i krijojmë ato qe nuk i kemi, e zotërojmë këtë fuqi. Dielli shkëlqen më fort atje…brenda nesh. Pa diell, nuk ka ëndrra, nuk ka motivim, nuk ka as pranverë!