Kryetari i bashkisë Mat Agron Malaj tha për ATSH-në, se po vijojmë punën në terren në shërbim të pensionistëve për shpërndarjen e pensionit, ilaçeve si dhe ndarjen e ndihmave për familjet në nevojë.

Malaj tha se janë identifikuar 253 pensionistë, shumica e të cilëve kërkojnë shërbime, ndihma, pensionin në shtëpi.

“Bashkia Mat në 8 njësitë administrative ka identifikuar 253 pensionistë. Ku nga këto në njësinë administrative Burrel janë kontaktuar 10 pensionistë të cilët kanë nevojë për ushqime. Në njësinë administrative Rukaj është marrë kontakt sot me 4 pensionistë të cilët janë larguar tek fëmijët e tyre”, tha ai.

Po ashtu, Malja tha se shërbimi për pensionistët behet njësoj si në qytetin e Burreli ashtu dhe në njësitë më të thella si Derjani dhe Macukull.

“Në njësinë administrative Derjan është kontaktuar me 7 pensioniste ku 3 kanë nevojë për medikamente, i pensionist për ushqime dhe 3 kanë nevojë për t’u shërbyer me blerjen e ushqimeve. Në njësinë administrative Baz është kontaktuar me 8 pensionistë ku, 1 ka nevojë për t’i marrë pensionin, 2 për ushqime, 3 medikamente, 2 janë larguar tek familjarët . Njësia administrative Ulëz ka 5 pensionistë ku me 2 prej tyre është kontaktuar sot dhe kanë nevojë për ushqime. Ku 1 prej tyre është ndihmuar. Njësia administrative Lis ka 46 pensionistë që jetojnë vetëm”, tha ai.

Kryetari i bashkisë Mat Agron Malaj gjithashtu theksoi se lokalet dhe restorantet janë të mbyllura dhe po monitorohen vazhdimisht, qytetarët e kanë zbatuar pa problem.

“Po ashtu në lidhje me mbylljen e bareve, restoranteve, bashkia Mat ka ngritur grupe te përbashkëta me Policinë e Shtetit, Policia Bashkiake dhe Inspektoriatin Shtetëror Shëndetësor ku gjatë gjithë ditës janë në terren dhe deri tani nuk kanë hasur probleme dhe ky urdhër është zbatuar nga të gjithë subjektet”, tha ai.

Malaj shtoi se “në lidhje me qarkullimin e mjeteve janë ndaluar lëvizjet për të gjithë qytetarët ashtu dhe për punonjësit e administratës. Njerëzit janë vetëkarantinuar dhe kufizimi i lëvizjes është i reduktuar, megjithëse monitorohen vazhdimisht, por deri më tani qytetarët kanë zbaruar udhëzimet dhe janë ndërgjegjësuar për rrezikun e COVID-19”.

Gjithashtu, Malaj tha se dezinfektimi ka prekur të gjithë territorin e bashkisë Mat duke dezinfektuar jo vetëm institucionet publike por dhe rrugët dhe hapësirat e qytetit.

“Bashkia Mat vazhdon me dezinfektimin e shkollave, kopshteve në njësinë administrative Komsi. Në njësinë administrative Lis është bërë dezinfektimi i shkollës Burgaje, Zall Shosha, Vinjoll, Gjalish dhe i shkollës Shëlli, njësia administrative Macukull”, tha ai.

Malaj tha se “sot vazhdon dezinfektimi i shkollave dhe kopshteve në njësinë administrative Baz. Me anë të sektorit te zjarrfikëseve kemi vazhduar larjen e rrugëve dhe trotuareve me ujë dhe klor. Pas përfundimit të qytetit Burrel kemi vazhduar në qytezën e Ulzës”.