Duket se kjo pandemi botërore e shkaktuar prej koronavirusit nuk do të ketë një vaksinë. Është kjo përgjigja që erdhi nga SHBA, nga mjeku Arban Domi, Drejtor i Zhvillimit të Vaksinave në “Geovax”, një nga kompanitë e njohura të prodhimit të vaksinave në botë. Dr. Domi, tha se kompania ku ai punon është në fazën e zhvillimit të vaksinës në laborator, por deri në krijimin dhe përdorimin e saj do të duhet të kalojnë 1.5- 2 vjet. Megjithatë Domi tha se ngrohja e temperaturave pritet të sjellë përmirësim të situatës.

“Kemi filluar zhvillimin e një vaksine për koronavirusin. E konceptuam dhe po e ndërtojmë në laborator nëpërmjet mënyrave dhe teknikave molekulare dhe gjenetike, për ta vënë në provë tek kafshët. Është në fazë laboratorike dhe shpresojmë ta kemi gati në dy muajt e ardhshëm dhe në fillim të qershorit ta provojmë tek kafshët. Vaksina së pari konceptohet, në bazë të njohurive që kihet për virusin apo familjen e këtij virusi. Kjo vaksinë bazohet në bazohet në viruset Sars dhe Mers. Faza e dytë është ajo laboratorike, përgatitja në laborator. Faza e tretë, testimi në kafshë. Fillimisht për të parë reagimin imunitar dhe më pas kafsha infektohet dhe shihet reagimi i vaksinës. Faza e katërt, është përgatitja për njerëzit por kjo kërkon rreth 6 muaj kohë. Testet tek njerëzit vazhdojnë 3-6 muaj. Dhe më pas prodhimi i vaksinës , që kërkon deri në 1 vit”, u shpreh ai për ‘Opinion’. I pyetur se sa kohë duhet për ta patur këtë vaksinë deklaroi se “Në rastin më të mirë 1.5-2 vjet nga dita e sotme. Në kushte normale merr 15 vjet për t’u zhvilluar, në rastin konkret, po shkurtohen etapat”.