Ndërsa pritet me padurim informacioni i sotëm i Mbrojtes Civile Italiane mbi numrin e të infektuarve dhe vdekjet nga koronavirusi, pas informacioneve shpresëdhënësve të ditës së djeshme, ndërkohë, janë regjistruar të dhëna alarmante për të prekurit me Covid-19 në rradhët e punonjësve të kujdesit shëndetësor në Itali – 4824, dy herë më shumë se në Kinë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, që nga fillimi i epidemisë, janë infektuar 4,824 profesionistë shëndetësorë, shifër e barabartë me 9% të numrit të përgjithshëm të personave të infektuar, një përqindje më shumë se dyfishi i të njëjtave raste në Kinë. Në këtë situatë autoritetet e shëndetit kanë vendosur të kryejnë testin e tamponit te të gjithë profesionistët dhe punonjësit e shëndetit si dhe sigurimin e sasive të domosdoshme të mjeteve mbrojtëse.

Sipas CNN, Qeveria italiane i ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë kreut të Pentagonit, Mark Esper, për të marrë ndihma në pajisje mjekësore të tilla si maska dhe respiratorë kundër koronavirusit.

Po sipas CNN, ekzekutivi italian i ka kërkuar gjithashtu personelit ushtarak amerikan të vendosur në Itali të ndihmojë me personel mjekësor dhe spitale fushore në mbështetje të përpjekjeve qeveritare.