Guvernatori Gent Sejko ka mbajtur një leksion në ambientet e Shkollës Ekonomike dhe Shkencave Politike të Londrës për “Sfidat financiare në ekonomitë e vogla të hapura – perspektiva e bankës qendrore”. Leksioni ishte i konceptuar në katër seksione: zhvillimet dhe trendet ekonomike në vendet e rajonit, dobësitë strukturore në sektorin financiar e bankar në Shqipëri, masat e ndërmarra dhe rezultatet e politikave të ndjekura për t’i adresuar këto dobësi, si dhe sfidat e të ardhmes në politikëbërjen e Bankës së Shqipërisë.

Sa i takon situatës ekonomike të vendit Sejko ka deklaruar se ritmi i rritjes ekonomike ka vijuar të jetë pozitiv, i shoqëruar me rritje të punësimit dhe të pagave, si dhe me një tendencë të qartë të kthimit të ekonomisë në ekuilibrin e saj afatgjatë. Për situatën ekonomike sipas Guvernatorit rol kyç ka luajtur edhe Banka e Shqipërisë e cila është kujdesur për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, qëndrueshmërinë e kursit të këmbimit, nxitjen e kreditimit të shëndetshëm si dhe reduktimi i kredive me probleme. Sejko gjatë leksionit, iu ka prezantuar studentëve edhe disa nga sfidat me të cilat është përballur sektori bankar gjatë viteve të fundit, si më kryesoren ai ka cilësuar uljen e nivelit të kredive me probleme.