Vllaznia-Partizani dhe Skënderbeu-Kukësi, ndeshjet e javës së 26-të, në program ditën e sotme (ora 18:00) do të luhen pa tifozë, duke respektuar kështu edhe urdhërin e ardhur nga qeveria mëngjesin e ditës së sotme dhe përsëritur nga Ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Federata Shqiptare e Futbollit zhvilloi sot pas mesdite një mbledhje të jashtëzakonshme ku edhe mori vendimin zyrtar. Veç kësaj, pritet të merren edhe masat parandaluese, si higjena e futbollistëve.

Njoftim nga Federata Shqiptare e Futbollit lidhur me aktivitetin futbollistik. Komiteti i Emergjencës në Federatën Shqiptare të Futbollit është mbledhur ditën e sotme për të vlerësuar situatën pas të urdhërit nr. 132, dt. 8/3/2020 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale lidhur me pezullimin e aktiviteteve sportive dhe sociale në vend.

Komiteti i Emergjencës vlerësoi se duke qenë se katër ekipet janë grumbulluar tashmë respektivisht në Shkodër (Vllaznia-Partizani) dhe Korçë (Skënderbeu – Kukësi), të vijojë me zhvillimin e këtyre dy ndeshjeve të javës së 26-të të Kategorisë Superiore, me dyer të mbyllura. Komiteti i Emergjencës në FSHF, i kërkon Këshillit të Ministrave një takim për të diskutuar në detaje lidhur me vijimësinë e aktiviteteve futbollistike në vend.