Nga Alfred Peza/

Momenti kur Ilir Meta do ta lerë zyrën e Presidentit, për të dalë në rrugë që të drejtojë një protestë politike, shënon edhe rënien për herë të parë në historinë e Republikës, të kreut të saj. Pasditja e 2 marsit 2020, e ka të sigurtë që tani vendin në histori, si dita kur Shqipëria mbeti pa institucionin e Presidencës.

Problemi kryesor me Ilir Metën nuk është se përse ai u zgjodh në Krye të Shtetit, sepse përpara kësaj, ai i kishte kryer të gjitha funksionet më të larta që afron sistemi politik në Shqipëri. E deri këtu, nuk kishte përse ta paragjykonte kush, nëse duhej zgjedhur apo jo President. Precedenti I tmerrshëm që ai po krijon, duke e shndërruar Presidencën në selinë e një partie të re, nisi në momentin kur ai filloi të merej me lojërat politike të ditës pikërisht atëherë kur Kushtetuta ia ndalonte.

“Besëlidhja…” e tij e bulevardit nuk është as rastësi, as rrufe në qiell të pastër dhe as një reagim instiktiv prej udhëheqësi të shqetësuar për “grushtin e shtetit” që mazhoranca legjitime, po i bëka vetes së vet. Ajo nisi në momentin kur Ilir Meta u bë pjesë e opozitës, atëherë kur zhvillimet e sfiduan për të qenë një garant mbi palët politike, si përfaqësues i unitetit të popullit shqiptar. Përkundër kësaj, ai zgjodhi me vetëdije, që të bëhej përfaqësues i popullit opozitar.

Ndaj, protesta e Ilir Metës në Tiranë, nuk është fillimi, por fundi i pashmangshëm i një loje politike në kurriz të shtetit dhe Kushtetutës, për hallin e tij personal të cilin po mundohet që ta fshehë duke dashur që të paraqesë atë publikisht, si një hall kombëtar. Halli personal i Ilir Metës, është i njëjti me atë të Lulzim Bashës, Sali Berishës dhe Monika Kryemadhit. E ai ka të bëjë me reformën në drejtësi, e cila iku nga thonjtë e elitës së vjetër politike, duke ngjallur frikën e ndëshkimit të pashmangshëm për krimet e pushtetit dhe korrupsionin e qeverisjes së këtyre 30 viteve në Shqipëri.

Kjo është arësyeja se përse Ilir Meta filloi lojën politike kundër qeverisë së Kryeministrit Edi Rama. Fillimisht përmes dekreteve të ministrave të Brendshëm e të Jashtëm, e më pas me çdekretimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit, dekretimin e “zgjedhjeve lokale të 13 tetorit”, mos bërjen e betimit të njërës prej anëtareve të reja të Gjykatës Kushtetuese, e kështu me radhë.

E kur mazhoranca për gjithë këtë lojë politike personale në kurriz të institucionit të Presidencës, nisi procesin hetimor parlamentar për shkarkimin e Ilir Metës, ai kaloi në anën tjetër. Nisi punën për realizimin e projektit të ri politik, për të patur një mundësi, shans dhe instrument të ri për tiu rikthyer skenës së madhe politike të vendit pas ikjes nga ajo zyrë. Tashmë si Kryetari i një partie të re politike në vend, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, të qershorit 2021.

Asgjë nuk ka për të ndodhur në përfundim të protestës politike të thirrur nga Presidenti i Republikës. Ajo do të jetë protesta e parë, e një serie organizimesh të tjera publike që do ta pasojnë atë ditë pas dite, javë pas jave e muaj pas muaji, në funksion të axhendës së re politike të Ilir Metës.

Skenari i këtij filmi është parë shumë herë në këto tri dekadat e fundit në Shqipëri, sa herë që një individ projekton angazhimin e ri, përmes një pranie më të shtuar publike në funksion të arritjes së qëllimit final: Bërjen për vete të sa më shumë njerëzve, në mënyrë që të sensibilizojë e më pas të kapitalizojë aksionin e futjes në treg të partisë së re, që të fitojë sa më shumë vota në zgjedhjet e radhës.

Në mëngjesin e datës 3 mars e në vijimësi, asgjë e re nuk do te ketë ndodhur në Shqipërinë që ka parë kaq shumë, e ka ende shumë e më shumë për të parë në historinë e saj. Nëse listës së pafund të partive politike në Shqipëri, do ti shtohet një parti e re, as kjo nuk do të çudisë e habisë njeri. Sepse ata e kanë të qartë se kush është Ilir Meta “i vjetër”, ndaj nuk presin surpriza, për versionin e tij “të ri” politik.

E vetmja e re në gjithë këtë histori, lidhet jo me opozitën, por me mazhorancën socialiste. Ajo nuk ka për të patur më kurrë një mundësi të dytë, për ti dhënë për herë të parë historisë së Shqipërisë, shembullin sesi veprohet kur mbërrin ajo ditë kur Republikës i ikën Kreu i saj, për të vijuar punën jo më në përmbushje të detyrimeve Kushtetuese, por në funksion të axhendës së tij personale.