Nga Ylli Pata/

Vendi prej më shumë se tre ditësh është i shushatur përballë një situate kurrë të njohur më parë. Kush ka jetuar komunizmin mban mend alarmed, strehimet, lojerat e manovrat por ata ishin më shumë gjasme.

Është hera e parë që ndodhemi para një situate të tillë, në një epidemi kaq tronditëse sa normalisht askush nuk flet tjetër.

Normal jemi përballë një emidemie, në fakt, pandemie që askush se priste. Imagjinoni, vetëm një javë më parë problem më i madh i këtij vendi ishte “Beslidhja e 2 marsit” dhe heroizmi i Ilir Metës për të rrëzuar “Juntën”.

Me 2 Mars, kur në shesh u mblodhën aq njerëz sa dikush tha 500 mijë. Ku pati siç e tha Presidenti edhe shqiptarë nga SHBA, Gjermania, Italia…Italia? Largqoftë, e se ka pasur nga Italia në atë miting,,, a i ka marrë kush në telefon?! Nejse larg qoftë! Askush spyet më as për Beslidhjen e betimet kreshnikore për të hyrë në Parlament me gjithë tespie e tosumbaç e për ta rrëzuar diktaturën. Është tjetër mesele, më e vogël por më e frikshme…

Jemi përballë një armiku që thonë ka dalë nga lakuriqët e natës, milingonat, gjarpërinjtë helmues a kush e di se nga. Por një ish-deputet i Parlamentit shqiptar e shkruan prej ditësh se koronën e ka sjellë Makroni, po po Presidenti i Francës që tani u bind të na japë negociatat si duket ka pasur në mend hatanë që na zuri.

Po ka edhe më keq shkruan ish-deputeti: Trump e Erdogan e Putin kanë vendosur të rrëzojnë elitën, zëvendësojnë dollarin e mbyllin Federal Rezervë. Pupupu skenare drithëruese.

Burrat shqiptarë që kanë lavdëruar dy javë rakinë shqiptare për efektet çudibërëse, por askush se vë në gojë se lokalet janë mbyllur e natyrisht trimat nuk preferojnë ta rrufisin nga faqorja por nga shiltja e mejhanes.

E njerëzit e shkretë të hutuar e të mbyllur brenda boshatisin me shpejtësi marramendëse raftet e supermarketeve, ku bosët e tre më të mëdhenjve prej tyre: Samir Mane, Agron Duka e Vullnet Sinaj, emra që janë shumë influentë edhe në politikë kanë rritur çmimet e produkteve, e bashkë me ta edhe furnitorët që janë prodhuesit e mëdhenj. Po a mund t’i penalizojë kush këta siç tha Kryeministri?

Pork a edhe më, jemi në një situatë alieneske, surrealiste, kur Grida Duma në lidhje direkte nuk flet për korrupsion e revolucion, apo filozofi politike, por për gatime të lehta që mund të gatuhen në shtëpi nga gratë për të mos rënë në depresion!

Sali Berisha flet nga Valbona ku natyrisht ka shkuar nga Tirana dhe në mitingun e 2 marsit mund të ketë takuar edhe të ardhur nga Italia. Adi Krasta u rikthye në atdhe në kohën e koronavirusit për të shpallur nisjen e një poli të fortë kundër Edi Ramës.

Megjithatë situata është e rëndë, pasi askush nuk di sad he deri kur do shkojmë kështu, të mbyllur e të bllokuar.

Por kjo nuk do të thotë që vendi të mbyllet e të mos flasë. Natyrisht jo për koronavirusin me titra të frikshme kur nuk ka çfarë të thotë, por natyrisht për ide, ide që duhen shuumë në këtë situatë kur pritet një rënie e pritshme e ekonomisë, një rënie e turizmit, prodhimit fason e natyrisht eksportit.

Ç’duhet bërë për të zbutur pasojat e kësaj flame që pritet të zgjasë. Më mirë se qarjet para tv-ve dhe urrave për heronjtë e rinj, do të duhet një reflektim e një diskutim, natyrisht edhe nga opozita, por edhe Kuvendi.

I cili ka mbyllur punimet, kur mund t’I zhvillojë edhe në distancë, të paktën në debatin e përgatitjen e seancave. Në mazhorancë përveç Edi Ramës nuk flet askush, kur kanë mundësinë pa shtrëngimin e lineimit që i sjell lufta e opozitës të nxjerrin ndonjë mendim, ndonjë ide, ndonjë alternativë.

Është kohë që si kur ra tërmeti i 26 nëntorit televizionet i “pushtuan” ekspertët dhe të mençurit, ta bëjnë edhe tani, nga të gjitha fushat, sepse ja vlen të përfitojmë nga koha që po na jep koronavirusi.

Se kur të ikë sërish do të plasë avazi i “narkoshtetit”, “Beslidhjes” e “revolucionit”….

TemA