Forcat e Armatosura kanë shpërndarë sot ndihma në bashkinë e Rrogozhinës, duke i ardhur kështu në ndihmë familjeve në nevojë, kryesisht atyre të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Ledio Hasani, përgjegjës i Sektorit të Shërbimit Social në bashkinë e Rrogozhinës, i kontaktuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare u shpreh se, “janë rreth 50 familje që kanë përfituar. Ashtu si edhe bashkitë e tjera, edhe bashkia e Rrogozhinës ka marrë masat për të qenë pranë familjeve në nevojë, pensionistëve që jetojnë vetëm dhe familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të shkuar. Sot falë dhe bashkëpunimit me Forcat e Armatosura kemi shpërndarë 50 pako me ushqime. Kjo procedurë do të vijojë edhe në ditët në vazhdim deri sa të kalojë situata e COVID-19”,- tha Hasani për ATSH-në.

Forcat e Armatosura në bashkëpunim me njësitë locale janë duke shpërndarë pako ushqime për familjet në nevojë, pensionistët e vetmuar, si edhe për familjet e prekura nga tërmeti që janë në çadër. Nisma e Forcave të Armatosura vjen pas masave të marra nga qeveria për të minimizuar lëvizjen e qytetarëve si masë kundër përhapjes së COVID-19.