Nga Frrok Çupi/

Në fakt nuk po jetojmë bashkë me Virusin e Vdekjes por ndaras, ne prandaj jemi mbyllur brenda pse ai është atje jashtë. Kështu do të jetë përjetë, po u bashkuan të dy armiqtë (ne dhe virus), atëherë as ai ekziston, as ne.

Por edhe nëse do të ekzistojmë (çfarë janë gjasat më të padisuktueshme), prapë, që atë ditë, nuk do të jemi këta që jemi.

Do të na jetë kthyer vetja si toka e punuar nga plugu: E parmja mbrapsht dhe e kundërta; askush nuk mund të thotë nëse për mirë apo për keq, por ndryshuar.

Do të na jetë thyer besimi:

Në radhë të parë besimi mes nesh që kishim thënë se njeriu është më i forti i natyrës; edhe fëmijët do të na shikojnë si dikë tjetër pse ‘i gënjyem’. Pastaj besimi ndaj shtetit; nuk do të jetë më e njëjta marrëdhënie mes qytetarëve dhe shtetit, kësaj here qytetarët nuk do ta pranojnë kontratën e shtetit. Arsyeja është thuajse fëmijërore, por kjo: Shteti nuk mundi t’i mbrojë qytetarët e vet në kohë të kolerës dhe prandaj humb legjitimitet. Mund të kthehemi në epokën e mungesës ose panevojës së shtetit… Qeveria do të ketë humbur krejt besimin; të gjitha qeveritë e botës (njësoj si qeveria jonë) e shpallën veten ‘qeveri e kohës së luftës’. Por vetë qeveria di shumë pak, ose në minimum, rreth armikut tonë. Deri më sot secili është kundër secilit rreth njohurive mbi Virusin. Po kur ka një mister!… Misteri është se qeveria nuk thotë një fjalë rreth thelbit: rreth fëmijëve që janë në bark të nënave, ose për ata që do të lindin më vonë… Si do të jenë ata? Sepse ata ndajnë kufirin e ndryshimit, të asaj që ‘çfarë jemi nuk jemi’, dhe ne nuk dimë asgjë.

A do të kemi shtet apo jo?

Shenjat e para të rrëzimit të shtetit janë dhënë. Në radhë të parë, që në këtë moment, është rrëzuar demokracia- pilari kryesor i shtetit. Nuk ka më demokraci, dhe me sa duket, nuk është e nevojshme të ketë më; të paktën këtë lloj demokracie. Nuk i shikoni çfarë bëjnë ‘demokratët’, dmth ata që gënjejnë se ishin demokratë? Këta vajtojnë me zë të gëzuar se po vdesin shqiptarët, po mbaron njerëzimi. Përhapin lajme të rreme dhe gëzohen me vdekjen. Asnjë doktor ‘demokrat’ nuk ka veshur qoftë edhe një bluzë të bardhë që të shërbejë kundër vdekjes në spitale a diku tjetër. Kur ishte ‘Demokracia’ në pushtet nuk kishte nevojë për koronavirus, sepse në tre muaj (mars-qershor 1997) dheu hëngri 3000 vetë mes ne shqiptarëve. Atëherë pra nuk ka nevojë për të dyja: Edhe Virus edhe ‘Demokraci’.

Tanimë nuk vlen as pasuria që krijuan liderët politik të Demokraci. Ja ta themi, banja speciale për macen në shtëpinë e presidentit të Republikës, kujt i nevojitet sot? Asnjë i sëmurë nuk e pranon. As pasuria tjetër e grabitur që nga skemat piramidale… As mëkatet nuk do të numërohen më… Ndoshta edhe Reforma në Drejtësi nuk do të nevojitet më.

Shteti ka mundësi: o të mos jetë, o të kthehet pas në epokat fillestare, ku predominanca ishte mbi Heroizmin dhe Stoicizmin.

Do të kenë ndryshuar thellësisht strukturat e shoqërisë.

Parullat politike e ‘popullore’ që po hidhen në popull gjatë luftës kundër sëmundjes më të egër që ka parë bota, janë paralajmërimi se këtu po ndryshojnë strukturat e shoqërisë sonë:

Ndërsa heronjtë e shoqërisë janë të tjerë, përfituesit janë të tjerë, njësoj si në luftën e Trockit nga ku buron edhe natyra e politikës sonë. Mjekët tani janë në krye, por këta janë vetëm ‘dhënës’ dhe aspak ‘marrës’ në shoqëri. Qeveria iu akordoi nga 1000 euro bonus në muaj, dhe kjo i tronditi ata që kanë përfituar vilat, floririn, embargon, OSHE, tenderë, piramidat… Nesër, o këta mjekë e ushtarakë që ‘i dhanë’ shoqërisë, do të ngrihen lart e ata të tjerët të bien poshtë, o të gjithë vdesin nga virusi. Kjo njëra.

Tjetra nga strukturat:

Po lëshohen parullat se ‘ luftojmë së bashku’ dhe ‘ fitojmë së bashku’. Po shpallen situata emergjence si mjet për të ‘ luftuar virusin’. Po deklarohet ‘ fitore’ në disa shtete… Po a nuk na çon edhe kjo në epokat e vjetra, që nga Kanali i Korfuzit e deri në Traktatin e Varshavës apo Luftën e Vietnamit? Lufta ‘së bashku’ është vetëm guackë. Edhe thirrjet për ‘shpresë’ janë fatalitet; shpresa dhe varfëria ushqejnë njër tjetrën… Kjo gjeneratë e tanishme nuk do të mund krijojë asnjë pikë lidhjeje me çfarë ishte deri tani. Por as gjenerata që ka hyrë në panikun e mos-ekzistencës.