Prefektja e Qarkut të Beratit, Valbona Zylyftari tha për ATSH-në, se janë marrë të gjitha masat për parandalimin e COVID-19, si dhe janë asistuar me ndihmë ekonomike 1090 persona dhe 8,800 pensionistë kanë marrë pensionin në shtëpi.

Zylyftari theksoi se në Qarkun Berat në datat 19, 20, 21 mars janë asistuar me ndihma (ushqimore, ilaçe dhe të tjera) 1090 persona/familje të moshës të tretë dhe PAK. Filiali Berat i Postës Shqiptare nga data 16.03.2020-20.03.2020 në rang qarku ka shpërndarë në shtëpi 2534 pensione në qytet dhe 6288 pensione në fshat.

Zylyftari shtoi se “sipas informacionit nga Drejtoria Rajonale e Fondit të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor janë 15 persona në rang qarku që i’u janë çuar barna në shtëpi gjatë këtyre dy ditëve”.

“Nga raportimi i degëve territoriale në fushën e shëndetësisë rezulton se situata epidemiologjike në Qarkun e Beratit deri datën 22.03.2020 paraqitet e qetë. Stafi mjekësor dhe autoambulancat janë në gatishmëri të plotë 24 h/24 h. Në NJVKSH Berat, janë ngritur grupet e punës të cilët janë në gatishmëri për të menaxhuar situatën në rast të konfirmimit të rasteve me COVID -19. Për çdo rast që konsiderohet i dyshimtë merret mostra dhe dërgohet për konfirmim në ISHP Tiranë. Në Spitalin Rajonal Berat dhe Drejtorinë e Shërbimit Spitalor Kuçovë/ Skrapar për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së COVID-19 është bërë riorganizimi i punës dhe ndalimi i menjëhershme i vizitave ambulatore në spital, ndalimi i vizitorëve/familjarëve në spital dhe hyrja e tyre vetëm me autorizim të drejtorisë, kufizimi i shtrimeve dhe operacioneve të planifikuara, si dhe afishimi i rregulloreve në çdo shërbim. Deri në këtë moment nuk ka asnjë rast pozitiv. Vazhdon bashkëpunimi me policinë e shtetit në terren për personat e ardhur nga jashtë”, tha ajo.

Gjithashtu Zylyftari tha se “të gjitha strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat bazuar në Aktin Normativ Nr.3, datë 15.03.2020, në vazhdimësi kanë kryer dhe kryejnë kontrolle në të gjithë territorin e Qarkut Berat. Për ndjekjen, kontrollin dhe zbatimin e Planit të masave, për parandalim të përhapjes së sëmundjes infektive COVID -19 dhe mbajtjes nën kontroll të situatës janë ngritur pikat e kontrollit, në të gjithë Qarkun e Beratit”.

Gjithashtu ajo shtoi se “Dega Rajonale e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor Berat nga datat 12.03.2020-21.03.2020 mbështetur në Urdhrat e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në parandalimin e infeksionit COVID-19 ka inspektuar 12 subjekte dhe ka monitoruar 521 subjekte në të gjithë Qarkun e Beratit: bar kafe, lokale, restorante, subjekte tregtuese të produkteve ushqimore, objekte shëndetësore, spitale, farmaci dhe fason. Një inspektim është kryer në një subjekt fason bazuar në ankesën e bërë në Portalin e Bashkëqeverisjes. Ndaj subjektit është marrë masa administrative “Për mosmarrje të masave të përgjithshme për parandalimin e sëmundjeve infektive”. Subjektet e tjera të inspektuara dhe të monitoruar ka zbatuar të gjithë urdhrat e përcaktuara”.

Ajo tha se kanë vazhduar monitorimet e vazhdueshme ndaj subjekteve private për zbatimin e masave.

“Drejtoria Rajonale e AKU, Berat në kuadër të shtimit të masave të marra për të parandaluar përhapjen e COVID-19 nga data 17.03.2020 deri në datën 19.03.2020 ka kryer monitorime në: 5 furra buke, 7 supermarkete ushqimore, 1 market ushqimor, 7 subjekte tregtimi fruta- perimesh dhe 1 magazinë ushqimore. U konstatua se subjektet ishin të pajisur me maska, doreza, dezinfektues, si shmangia e radhëve të gjata të klientëve. Në zbatim të denoncimit të ardhur nga Info.aku në datë 12.03.2020 për tregtim të produkteve ushqimore, me etiketim të parregullt në subjektin Dashnor Zotkaj me aktivitet magazinë ushqimore u krye inspektim dhe u konstatua produkti suko pjeshke dhe dardhe ” La Doria” pa etiketim në gjuhën shqipe në sasinë 1320 shishe 125 ml të cilat u bllokuan në vend deri në etiketim të rregullt të tyre. Ndaj subjektit u mor masë administrative “Gjobë” me vlerë 50 000 lekë”, tha Zylyftari.