Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka takuar ministrat e jashtëm të Polonisë, Lituanisë, Estonisë dhe Letonisë të cilët kanë shprehur mbështetjen për hapjen e menjëhershme të bisedimeve për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me BE.

Taulant Balla shkruan: “Mirënjohje Polonisë, Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë për mbështetjen që i japin Shqipërisë për fillimin e menjëhershëm të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian. Sot pasdite patëm mundësinë të takohemi me ministrat e jashtëm të Polonisë Jacek Czaputowicz, të Letonisë Edgars Rinkvis, të Lituanisë Linas Antanas Linkeviius, si dhe me zv/ministrin për Çështje Evropiane të Estonisë Märt Volmer.

Komisioni Europian, përmes Metodologjisë së re të Zgjerimit, i ka oftuar vendeve të Ballkanit Perëndimor një plan të besueshëm në rrugën europiane dhe të bazuar në meritën individuale të seicilit prej vendeve të Ballkanit Perëndimor. Komisioni Europian përmes raportit të publikuar të henën rikonfirmoi vlerësimin e qartë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë gati për të filluar menjëherë bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Europian. Metodologjia e re e Zgjerimit zgjidh gjithashtu edhe hezitimin e tetorit të shkuar të ndonjë prej vendeve anëtare të BE, pozicioni i të cilave divergjoi mbi shpejtësinë dhe axhendën e procesit. Është tashmë në kredibilitetin e BE, që Këshilli Europian i fund-Marsit të miratojë fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.