Nga Alfred Peza/

Pas “manifestimit” të 2 marsit, të organizuar nga Ilir Meta në bulevard, sa më shumë që Presidenti i Republikës ka hyrë në shtegun e errët të ikjes pa kthim, aq më shumë qartësohet opinion publik rreth fundit të kësaj historie të palavdishme politike. E ajo që është qartësuar më shumë se çdo gjë tjetër, si të ishte jo drita e celularëve si koreografia e një “proteste politike” por bash si drita e diellit, është ndarja mes asaj që mund të bëjë pas kësaj Ilir Meta dhe asaj që nuk i bën dot ai, si Kryetar Shteti.

Ndaj, gjithëkush duhet të kuptojë mirë diferencën e pangatërrueshme mes deklaratave të tij politike dhe fuqive të tij reale kushtetutese dhe ligjore për ti jetësuar tani e tutje ato. Aq më tepër që pasi doli nga gardhi i institucionit në rrugë, ai është vetëm “de jure” President dhe jo më edhe “de facto”. Ndaj, mos e merni më seriozisht pas kësaj Ilir Metën, për gjërat që thotë. Sepse do ju duhet të bëni pak më shumë durim, për të parë nëse i bën dot ato që thotë, përtej dëshirave të tij pa limit.

Përshembull nga tribuna e “manifestimit”, ai tha se pas 15 marsit do të shpërndajë Parlamentin. Madje edhe u betua publikisht e solemnisht për këtë. Po çfarë do të ndodhë?,- do pyesi me të drejtë çdokush që e dëgjon. Sa shanse dhe mundësi ka që të ndodhi kjo? Përgjigja është fare e thjeshtë: Ilir Meta si individ, edhe mund ta bëjë këtë. Por, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, JO.

Ilir Meta si qytetar apo si qenie politike, edhe mund të firmosë mbi një shkresë e cila si formë e përmbajtje, mund të duket “zyrtare”. Po. Kjo është e mundur, po të kujtojmë se e ka bërë këtë edhe më parë. Përshembull Ilir Meta e hodhi firmën pa u menduar gjatë, madje live përballë të gjitha kamerave televizive, kur çdekretoi zjedhjet e përgjithshme Parlamentare të 30 Qershorit 2019. Por, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, nuk mundi që ta bënte dot këtë. Sepse ajo shkresë që ajo firmosi dhe e paraqiti përballë gjithë opinionit publik, ishte nul. Nuk kishte asnjë vlerë, e për rrjedhojë asnjë fuqi për aq kohë sa ishte anti kushtetuese.

Ndaj zgjedhjet u zhvilluan më 30 qershor anipse opozita që i kishte mbushur atij bulevardin, i bojkotoi ato. Ato u pranuan. U çerifikuan. U njohën nga institucionet vendase dhe ato ndërkombëtare, duke marë edhe bekimin e SHBA, BE dhe aleatëve tanë të tjerë. Pas kësaj, mazhoranca parlamentare ngriti një komision hetimore për shkeljen e rëndë kushtetuese të bërë nga ana e Presidentit të Republikës, duke nisur edhe procedurën për shkarkimin e tij. Pas kësaj, Ilir Meta nuk u ndal. Duke vijuar që të konsumojë të tjera raste të ngjashme apo të krahasueshme me këtë. E ato nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse e kanë shtuar listen e akuzave ndaj Presidentit, në procesin e shkarkimit që pritet të konkludohet sëshpejti.

Ky ishte shembulli më klasik për të treguar se çfarë është në gjendje që të bëjë Ilir Meta si individ dhe çfarë nuk është e mundur që ta bëjë ai, si President i Republikës. Ndaj, edhe në rastin e debatit për shpërndarjen ose jo të Parlamentit nga ana e tij, përfundimi do të jetë i njëjtë. Ilir Meta pas 15 marsit mund të firmosë dekretin për shpërndarjen e Parlamentit, madje mund ta bëjë këtë edhe brenda asaj salle siç edhe premtoi. Por Kryetari i Shtetit Shqiptar, nuk mund ta bëjë dot këtë, sepse nuk ka asnjë kopetencë kushtetuese dhe ligjore.

Dokumenti themeltar i shtetit, i ka të përcaktuara shumë qartë, të tria rastet kur mundet dhe kur nuk mundet që Presidenti i Republikës, ta shpërndajë Kuvendin e Shqipërisë. Rasti i parë, ka të bëjë me momentin kur pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, Parlamenti i ri dështon në tri votime për të zgjedhur Kryeministrin e ri të vendit. Rasti i dytë, kur pas 5 votimesh Parlamenti nuk arrin që të zgjedhi dot Presidentin e ri të Republikës. Dhe rasti i fundit, kur mocioni i mosbesimit i Kryeministrit për Këshillin e ministrave, nuk arrin që të konfirmojë mbështetjen nga shumica e deputetëve (70+ 1) të Kuvendit.

Duke qenë se nuk jemi në asnjërën prej tri rasteve, mund ta lexoni premtimin e ri, thjeshtë si një dëshirë të Ilir Metës. Ose, si një deklaratë të pastër politike, nëse dëshironi. Ndaj pas 15 marsit, e firmos apo nuk e firmos Ilir Meta dekretin, Parlamenti as nuk shpërndahet dhe as nuk do të pengohet dot për asnjë çast, që të përmbushi mandatin e tij legjitim 4 vjeçar, të dhënë sovrani. E kur flet sovrani, individi kushdo qoftë ai, ka vetëm një mundësi: Të heshtë dhe ti bindet. Nëse nuk e bën, kjo nuk është më çështje e askujt tjetër, përveçse e Ilir Metës!