Nga Mero Baze/

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka paralajmëruar pezullimin e taksës me Serbinë, me kusht që të rivendosen disa norma reciprociteti me Serbinë, në disa afate që ai i gjykon të mundshme. Përpjekja e tij për të vendosur afate, shoqëruar me njoftimin për heqjen e taksës, janë ngarkesa të panevojshme, që mund ta dëmtojnë aksionin e tij politik, por ato dhe mund t’i harrojë në ditët që vijnë, pasi ende nuk ka folur LDK, dhe nuk mund të quhen vendime kolegjiale. E rëndësishme është që ai ka pranuar të heqë fillimisht taksën e pastaj të nisë bisedimet. Të gjithë ata që janë të sinqertë kur thonë se Kosova nuk duhet të humbasë aleancën me SHBA dhe Perëndimin, nuk kanë asnjë arsye të shikojnë me dyshim Albin Kurtin pse ka reflektuar dhe po sillet, siç e ka detyrim të sillet kryeministri i Kosovës. E kuptoj që tani do të ketë një valë histerie e presioni publik ndaj Albin Kurtit, i cili devijoi nga qëndrimi i tij për “orën zero” të heqjes së taksës. Pra, ai premtoi që nuk do të ketë një moment, kur taksa të jetë hequr dhe reciprociteti të mos jetë vendosur.

Tani në fakt ky moment ekziston dhe shumë mirë që ekziston. Kjo nuk është arsye për t’u shpallur as tra dhtar, dhe as mash trues. Thjesht një politikan që ndryshon. Të gjithë ne që ja kemi kërkuar këtë Albin Kurtit në emër të ruajtjes së aleancës me SHBA, nuk kemi pse i kujtojmë tani Albinit, se ai tentoi të bëhej anti-amerikan. Ai në të vërtetë e ka nis karrierën ashtu, si një aktivist “anti-imperialist”, por moderimi i tij dhe shkuarja tek vendimet llogjike që nuk rrezikojnë Kosovën, nuk janë arsye për t’i kujtuar atij kohët e shkuara, por të ardhmen e Kosovës. Ramush Haradinaj, që bën si i mërzitur pse Albin Kurti po shkon drejt heqjes së taksës, në fakt është duke dëshmuar se taksën e ka vendosur për të bllokuar planin amerikan për bisedime, dhe jo për të luftuar Serbinë, pasi Serbia do të dorëzohet kur të njohë Kosovën, dhe jo kur të mos shesë miell në Kosovë.

Ajo që ka bërë sot Albini, është ajo që ju kërkua Ramush Haradinajt nga presidenti i Francës dhe kancelerja gjermane Merkel gjatë takimit të pranverës së kaluar në Berlin, kërkesë që Haradinaj e refuzoi, duke akuzuar Edi Ramën se i ishte bashkuar presionit të Gjermanisë dhe Francës kundër tij. Prandaj sot ai është mire të heshtë, pasi më shumë se sa superior ndaj Albinit, në fakt tregon se taksa ka qenë axhendë e tij personale dhe jo e Kosovës. Për pezullimin e taksës ka qenë dakord dhe LDK e Mustafës dhe PDK e Thaçit, dhe pamavrësisht mënyrës se si ata shuan rezistencën e Kurtit, ata duhet të heqin dorë nga triumfalizmi dhe ta shikojnë këtë vendim si një shkuarje drejt një shumice luajale ndaj SHBA në Kosovë. Ndaj nuk ka arsye që tani të bëhet debat pse ndryshoi Albini dhe pse tradhtoi qëndrimet e veta. Debati i hidhur do të ishte po të mos ndryshonte dhe të tradhtonte të ardhmen e Kosovës.