1. Si ndodh përhapja? Përmes pikëzave që një person i infektuar nxjerr duke marrë frymë, folur, kollitur apo teshtirë. Këto pikëza mund të hyjnë në rrugët ajrore të një personi tjetër, që ndodhet në më pak se një metër e gjysmë distancë. 2. Cilat janë masat që duhen marrë? Qëndroni larg prej personave që kolliten apo teshtijnë; lani duart (që mund të kenë prekur objekte të infektuar); mos prekni fytyrën (gjithmonë sepse duart mund të bartin virusin); në rast simptomash, mos shkoni në urgjencën e spitalit, por telefononi numrin e Urgjencës Kombëtare (112 ose 127).

3. A mund të transmetohet Coronavirus-i nga njerëz që nuk kanë simptoma? Në fillim, ekspertët nuk kanë qenë të bindur që infektimi ndodhte pa simptoma. Më pas, e kundërta u vërtetua. Sipas një studimi, në rrugët ajrore të disa pacientëve pa simptoma janë gjetur sasi të rritura të virusit. Kur kemi grip, ka një fazë në të cilën nuk ndjehemi në formë, por pa e ditur mirë përsenë. Në atë moment nuk kemi ende grip, domethënë simptomën parësore të tij, por mund të jemi tashmë të prekur dhe përcjellës. Mendohet që transmetimi i Coronavirus-it ndjek një mekanizëm të ngjashëm.

4. A ka patur rrugë të tjera të infektimit? Eshtë folur për përhapje përmes tubacioneve të ujit apo atyre të ajrimit, por nuk ka asgjë që ta konfirmojë. Virusi është gjetur edhe në feçen e të sëmurëve. Por është e vështirë të imagjinosh që mund të infektohesh në këtë mënyrë. Kontakti i drejtpërdrejtë me të sëmurët dhe piklat e nxjerra prej rrugëve të tyre të frymëmarrjes mbetet rruga parësore e transmetimit.

5. A është e mundur të infektohesh nëse prek objekte të infektuar? Mund të ndodhë të kollitesh dhe teshtish mbi një objekt, apo një dorë me të cilën më pas prek diçka. Prekja e atyre sipërfaqeve dhe vendosja menjëherë e dorës në gojë, teorikisht mund të të infektojë. Megjithatë, aftësia e viruseve për të mbijetuar në këto kushte është shumë e kufizuar. Koha e mbijetesës varion sipas virusit, temperaturës dhe lagështisë. Mund të jetë edhe disa ditë, por që pas 24 orëve infektueshmëria mund të reduktohet në një fraksion shumë të vogël, madje edhe një e dhjeta. Risku për t’u infektuar në këtë mënyrë është i papërfillshëm.

6. Përse disa persona nuk kanë simptoma dhe të tjerë rëndohen? Ekspertët ende nuk e dinë. Por ekzistojnë disa hipoteza. Disa vite më parë gripi i stinës ishte veçanërisht i butë tek të moshuarit. Më pas u zbulua se 20 vite më parë kishte qarkulluar një virus i ngjashëm, dhe më të moshuarit kishin ruajtur një kujtesë imunitare. Mund të jetë që, kush sëmuret lehtë mund të ketë qenë në kontakt në të kaluarën me coronavirus-e të tjerë, dhe sot është pjesërisiht i/e mbrojtur. Familjes së coronavirus-eve u përkasin në fakt disa prej patogjenëve që provokojnë ftohjen. Teorikisht një person që i ka mbijetuar SARS-it duhet të jetë rezistent ndaj këtij coronavirus-i, sepse dy mikro-organizmat janë të ngjashëm.

7. A është e vërtetë që preken vetëm njerëzit e dobët? Të moshuarit dhe personat me probleme shëndeti janë më të rrezikuar. Por asgjë nuk e përjashton që edhe një mushkëri e shëndetshme dhe një gjendje të përsosur, të sëmuret rëndë, mbi të gjitha nëse pritet shumë ditë para se të kërkohet ndihmë mjekësore.

8. Të dhënat mbi vdekshmërinë në Kinë janë shumë të ndryshme nga ato të pjesës tjetër të botës. Përse? Vdekshmëria në Vuhan është 2.5%. Në pjesën tjetër të botës është 0.5 për mijë. Në pjesën më të goditur të Kinës spitalet kanë vështirësi në përballimin e të sëmurëve. Nëse një pacient sillet në kohë dhe i nënshtrohet një terapie të mirë intensive, ka mundësi shumë të mira për t’ia hedhur. Virusi hyn nga rrugët ajrore të sipërme, pas disa ditësh zbret në mushkëri. Pacientët fillojnë të marrin frymë me vështirësi. Nëse asistohen mirë në spital me oksigjen, mund të mbijetohet edhe me mushkëri që funksionojnë në 5-10%. Pas disa ditësh, nëse gjërat shkojnë mirë, trupi reagon dhe e mposht virusin.

9. A ka të dhëna që virusi po pëson mutacion dhe po bëhet më vdekjeprurës? Deri tani jo, por po kryhen testime mbi të infektuarit më të fundit. Virusi i tyre do të izolohet dhe gjenomi do të nënshtrohet vëzhgimeve. Në atë pikë do të shihet nëse karakteristikat e mikroorganizmit kanë mbetur të njëjta në krahasim me fillimin e epidemisë.(bota.al)