Fundjava e ka gjetur Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosin pranë natyrës.

Këtë fundjavë me plot diell, ministri Klosi ka zgjedhur Valbonën e bukur, atë që tashmë të gjithë e krahasojnë me alpet e Zvicrës. Madje edhe vetë ministri e cilëson kështu, dhe këtë sekret na e tregoi Alteo Hysi, gazetari i Kryeministrit, me një postim në rrjetin social “Facebook”.

“Zvicra e Shqipërisë, thotë Blendi Klosi”, shkruan Alteo, pa harruar të tregojë “location-in”, por edhe të postojë disa foto bashkë me ministrin e Mjedisit, shkrepur në peisazhin e bukur që të ofron Valbona.

Ndërsa ministri në mbyllje të sezonit turistik gjatë vitit 2019 u shpreh se, bukurinë dhe madhështinë e alpeve tona nuk i gjen në asnjë vend tjetër.

Dhe kjo është e vërtetë, pasi edhe vetë turistët zviceranë e konsiderojnë Valbonën si të tillë, për shkak të pamjes së mrekullueshme piktoreske.

Çdo vit numri i vizitorëve vendas dhe të huaj ka pësuar rritje, ndërsa shtëpitë e vendasve janë të hapura për “mysafirët”. Kështu preferojnë t’i quajnë turistët dhe vizitorët, banorët e zonës.

E për të shkuar në Valbonë nuk të duhet asgjë tjetër, veç se një udhëtim përmes “Drinit” deri në Tropojë dhe më pas vetëm 45 minuta, rrugës drejt, për në “Zvicrën e Shqipërisë”.