Me rastin e 12-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

“Ju uroj nga zemra këtë ditë të shënuar për Kosovën, Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët. Pavarësia e Republikës së Kosovës është realizimi i aspiratave të vëllezërve kosovarë për të pasur shtetin e tyre demokratik, për të vendosur për të ardhmen e vet dhe për të kontribuar në zhvillimin, mirëqenien, paqen dhe sigurinë e Republikës së tyre dhe në rajon e më gjerë.

Pavarësia e Republikës së Kosovës u arrit me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sakrificat e qytetarëve si edhe jetët e mijra dëshmorëve të saj, të cilët shqiptarët, kudo ku jetojnë, do t’i kujtojnë e nderojnë përjetësisht. Pavarësia e Republikës së Kosovës është rezultat edhe i mbështetjes së pashembullt të aleatëve të mëdhenj të Kosovës dhe të të gjithë shqiptarëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe Bashkimit Europian. Lufta për pavarësinë e Kosovës ishte një luftë unike për të mbrojtur vlerat dhe për të sjellë e garantuar paqen në Kosovë e në rajon.

Të gjithë shqiptarët u jemi mirënjohës aleatëve tanë strategjikë për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës dhe kjo mirënjohje shprehet e konkretizohet në bashkëpunimin e partneritetin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe Bashkimin Europian në përballimin e sfidave të zhvillimit dhe të së ardhmes së Republikës së Kosovës si edhe paqes, sigurisë e stabilitetit në rajon.”, shkruan në mesazhin e tij të urimit, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.