Nevojat e rindërtimit pas tërmetit, Konferenca e Donatorëve në Bruksel dhe kontributi konkret i Bankës Botërore në financimin e Programit të Rindërtimit ishin në fokus të takimit që Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar me Presidentin e Bankës Botërore, David Malpass në Uashington DC. Kryeministri Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Në fokus nevojat e Rindërtimit, Konferenca e Donatorëve në Bruksel dhe kontributi konkret i Bankës Botërore në financimin e Programit të Rindërtimit”, ka theksuar Rama, duke publikuar edhe një video nga takimi. Më herët Kryeministri Rama ka takuar edhe Mark Green, administratorin e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Në fokus të takimit me Green ishte Rindërtimi pas tërmetit të 26 nëntorit dhe Konferenca e Donatorëve të 17 shkurtit. Gjithashtu pjesë e takimit ishte edhe njësia e re Speciale Antikorrupsion dhe Antievazion, që do të pasojë paketën Anti KÇK. Në takim u diskutua edhe për programin e përbashkët të Akademisë së Transparencës. Qeveria shqiptare publikoi sot raportin përfundimtar për dëmet e tërmetit të 26 nëntorit 2019. Dëmet llogariten në 985 milion euro, ndërsa për rimëkëmbjen duhen 1,076 miliardë euro.