Gjatë fjalës së tij në Konferencën e Donatorëve, kryeministri Edi Rama, duke falenderuar Komisionin Europian dhe gjithë shtetet dhe donatorët pjesmarrës, pranoi gjithashtu se një vend i vogël dhe i varfër si Shqipëria, e ka të vështirë t’i përballojë vetë katastrofat natyrore.

“Mirënjohja që ndjej për ju nuk ka kufi. Fakti që ju jeni këtu më ngroh zemrën dhe më mbush shpirtin. Shpresoj që të gjithë shqiptarët që jetojnë në Europë dhe botë, një ditë të kthehen dhe të jetojnë në Shqipërinë europiane, siç ka qenë ëndrra e tyre që në fillim. Ne jemi këtu pasi në fund të 2019 dhe në fillim të 2020, ndodhën dy gjëra të tronditëse për shqiptarët. Mospranimi i hapjes së negociatave dhe tërmeti katastrofik. Tërmeti i 26 nëntorit është arsyeja pse jemi këtu. Vendet e mëdha dhe të pasura mund t’i përballojnë vetë katastrofat e tyre, por për vendet e vogla dhe të varfëra si Shqipëria nuk është aq e thjeshtë, prandaj ne kërkojmë të na ndihmoni”, tha Rama.