Sot 6 anëtarët e familjes së Agron Dervishit në Dajt iu gëzuan një banese të re. Tërmeti i 21 shtatorit e shkatërroi tërësisht banesën e vjetër të kësaj familje, duke i detyruar të zhvendosen përkohësisht në një çadër. Ashtu si për familjet e tjera që kanë pësuar dëmtime të rënda të banesës, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me “Future Home” dhe “Dea Studio”, e ndërtuan shtëpinë e Agronit nga e para.

Familja Dervishi u vizitua sot nga Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, të cilët u dhanë çelësat e banesës së re. “Jam shumë i kënaqur, fati im që ishit ju kryeministër, kryetari i Bashkisë, sepse nuk isha duke e bërë shtëpinë e re”, u shpreh babai në moshë të thyer i Agronit.Kreu i qeverisë tha se është vetëm çështje kohe për rindërtimin e të gjithë banesave të dëmtuara nga tërmeti. “Duhet të mendojmë ku do t’i bëjmë sepse jo të gjitha do të bëhen aty ku janë; disa do të afrohen me njëri-tjetrin, që të kenë pak më shumë komunitet dhe më shumë shërbime afër. Duhen bërë studimet gjeologjike, a mban ndërtimi apo jo, mandej planet, projektet, procedurat për të përzgjedhur kompanitë. Ikën dy muaj thonë këta… Rri në Facebook, e thuaj 2 muaj. Po nuk kemi çfarë t’i bëjmë, kështu është ndarë kjo punë, ca me punë e ca me llafe”, tha Rama.

Kryebashkiaku Veliaj shtoi se falë ndihmës së dhënë nga biznesi, që iu përgjigj menjëherë thirrjes për solidaritet, shtëpia plotëson të gjitha kushtet e nevojshme, duke përfshirë edhe mobilimin e saj. “Ai që punon vetë e di që puna merr kohë. Ai që ankohet, është ai që s’e ka idenë si vijgen bashkë dy tulla”, tha ai.Pas tërmetit të shtatorit dhe të nëntorit, Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë hapash për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara dhe për lehtësimin e jetesës së familjeve të prekura, edhe përmes programit të bonusit të qirasë.