Asnjë gjurmë e tyre nuk gjendet më sot. Në kodrat e Burgajetit ku dikur ngriheshin madhështore sarajet e familjes Zogolli, sot nuk ka mbetur më as edhe një gur themeli.

E vetmja provë e e atyre sarajeve janë disa foto të vjetra ruajtur në Arkivin e Shtetit, prej të cilave mund të krijohet ideja e qartë të arkitekturës së kësaj banese me tipare aristokrate për kohën e vendin, ku lindi edhe mbreti Zog.

Në kohën kur Burgajeti ishte kryeqendër e Matit në të banonin mbi 1500 banorë.Sarajet, sipas të dhënave dokumentare janë djegur tre herë, ndërsa në fund të Luftës së Dytë Botërore, me ardhjen e komunistëve në pushtet, sarajet e Zogut do të zhdukeshin përfundimisht, për të mos lënë më asnjë gjurmë në atë vend që të mund ta përkujtonte disi mbretin Zog.Thuhet se me gurrët e tyre u shtruan trotuaret e Burrelit, një qytet që dhe pemët dekorative në trotuare i ka mollë.

Fotot që sjellim në këtë pubikim ruhen në Arkivin e Shtetit dhe i përkasin vitit 1920 (dy sosh) dhe një në vitin 1935. Në të tre këto foto duken qartë dëmtimet e sarajeve që në atë kohë.

Nëse sot do ishin ekzistente, edhe Shqipëria do mund të kishte, siç shumë vende, saraje ish-mbreti (jo mbretërish), që pos në funksion të memories dhe pasurisë historike, do ishin dhe në funksion të tregut turistik.