Inflacioni mesatar për vitin 2019 rezultoi 1.4%, bëri të ditur Banka e Shqipërisë, në raportin e publikuar së fundi mbi politikën monetare. Sipas BSH-së, norma mesatare e inflacionit shënoi vlerë të ulët në tremujorin e fundit të vitit 2019 (1.3%) ndikuar nga kategoria “Ushqime e prodhim bujqësor” që pati intensitet më të lartë se sesa vitin e kaluar. Inflacioni i këtij tremujori u përcaktua në masën 85% nga luhatjet e çmimeve të mallrave ushqimore. Brenda këtij grupi mallrash, vazhdon të jetë veçanërisht i spikatur kontributi i çmimeve të mallrave në kategorinë “ Ushqime të papërpunuara”, duke formuar rreth 60% të shifrës së inflacionit total.

Në dy muajt e parë të tremujorit, kjo kategori shënoi rritje në termat e inflacionit dhe të kontributeve. Ndërkohë, në muajin dhjetor, vlera e kontributit të nëngrupeve të veçanta brenda kësaj kategorie u dominua nga ajo e zërit “perime”, e cila shkaktoi rënien e kontributit të kësaj kategorie me 0.3%. Kushtet e favorshme klimaterike, shtimi i prodhimeve nga serat, presionet e dobëta nga kostot prodhuese për shkak të çmimeve më të ulëta të karburanteve, rritja e konkurrencës në tregjet e prodhimeve bujqësore, janë faktorë që kanë nxitur ngadalësimin e inflacionit të kategorisë përkatëse. Çmimet e komponentëve të tjerë më të qëndrueshëm të inflacionit, ku përfshihen çmimet e shërbimeve, strehimit dhe mallrave të konsumit afatgjatë, patën gjithashtu një kontribut më të ulët te norma e inflacionit krahasuar me një tremujor më parë (0.2% nga 0.3%.