Pak ditë pas vdekjes së legjendës së NBA, Kobe Bryant, së bashku me vajzën e tij, Gianna, dhe shtatë persona të tjerë në një aksident ajror, LA Lakers, ekipi ku Bryant ndërtoi karrierën e tij, luajti kundër Portland Trail Blazers.

Megjithatë, ndeshja në Staples Center ishte krejt ndryshe nga zakonisht.

Trëndafila të kuq dhe fanellat përkatëse u vendosën në vendet ku Kobe dhe Gianna u ulën për herë të fundit. Të gjithë lojtarët e LA Lakers u paraqitën me fanella me numrat 8 dhe 24, numrat që Bryant mbajti gjatë karrierës 20-vjeçare në ekip, ndërsa pjesa më e madhe e të pranishmëve mbanin veshur bluze me dedikime për “Mamban e Zezë”. Numrat 8 dhe 24 ndodhedhin po ashtu në qendër të sallës.

“Unë e di se në një moment do të kemi një memorial për Kobe. Por unë dua ta shoh si festë këtë ndeshje sot. Kjo është një festë për njëzetë vitet me gjak, djersë dhe lot; ulje, ngritje, orë të panumërta, vendosmëri për të qenë aq i madh sa ishte. Sonte, ne festojmë për atë djalin e ri që erdhi këtu në moshën 18-vjeçare dhe u tërhoq kur ishte 38 vjeç dhe u bë babai më i mirë që kemi patur këto tre vitet e fundit. Sonte është një festë.” i tha LeBron, turmës teksa shprehu ngushëllime edhe për shtatë njerëzit e tjerë që humbën jetën më 26 janar.