“Kur patën mundësi për ta bërë shëndetësinë e lanë gërmadhë ndërsa tani flasin se si mund tē ishte shëndetësia që ata e shkatërruan”. Nga qendra e re shëndetësore e Grabianit në Divjakë, Zv/Kryeministri Erjon Braçe dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu i janë përgjigjur tryezës së Partisë Demokratike për Shëndetësinë.

“Kokrrat e hajduteve këtë punë kanë, fjalët tona janë punët që bëjmë, puna e tyre janë fjalët”, u shpreh zv/Kryeministri Erjon Braçe, gjatë inspektimit të qendrës së Grabianit, e rindërtuar nga e para në kuadër të programit të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore.

“Nuk është investuar në 30 vite për qendrat shëndetësore dhe ata që kur e kishin mundësinë e lanë shëndetësinë gërmadhë sot mblidhen në tryeza dhe flasin si duhej të ishte shëndetësia”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se si qendra e Grabianit, janë rindërtuar me të njëjtin standard 180 qendra shëndetësore nga veriu në jug, në çdo cep të vendit dhe puna do të vijojë me 120 qendra dhe ambulanca të tjera.