Plan ambicioz në atë që e ka quajtur kapitull të ri për Kosovën, ka prezantuar kryeministri i ri, Albin Kurti. Në funksion të përmbushjes së prioriteteve dhe mbërritjes së rezultateve të kënaqshme, partnerët e koalicionit VV-LDK kanë premtuar riorganizim të rolit të Qeverisë për zhvillimin ekonomik, drejtësinë e barazinë shoqërore, administratën publike dhe politikën e jashtme.

Janë premtuar hapa në drejtim të dekriminalizimit dhe kthimit të besimit në sistemin e drejtësisë dhe atij të sigurisë, përfshirë vetingun dhe krijimin e institucioneve të veçanta për luftim të korrupsionit. Do të shuhen edhe “task forcat” që konsiderohen të panevojshme për t’i hapur rrugë themelimit të “Zyrës Shtetërore të Hetimeve”, shkruan sot Koha Ditore.Kuleta e shtetit do të riorientohet tërësisht nga shpenzimet e pajustifikuara të mëdha e joprioritare, drejt projekteve që ndikojnë në zvogëlimin e papunësisë, me theks te të rinjtë dhe gratë, që i avancojnë arsimin, shëndetësinë dhe ushtrinë. Por njohës të rrethanave shohin vështirësi dhe pengesa në zbatimin e disa prej zotimeve, të cilat Qeveria e re ende nuk i ka shpalosur në detaje.

Dialogu i Kurtit

Kryeministri Kurti, në ditët e para si kryeministër u ballafaqua me kërkesën për heqjen e taksës dhe rinisjen e dialogut me Serbinë. Kjo është një nga detyrat e para për të cilën diplomatët e huaj kërkojnë veprime të shpejta.

Dy subjektet që përbëjnë koalicionin gjatë fushatës patën premtuar heqjen e taksës dhe aplikimin e reciprocitetit të plotë me Serbinë. Një plan i detajuar se në cilat fusha do të aplikohet ky reciprocitet nuk është shpalosur ende.Kurti, i cili të hënën është bërë kryeministër, ka përmendur fushat në të cilat do të demonstrohet qasje e njëjtë ndaj Serbisë. Ka thënë se taksa do të zëvendësohet me reciprocitet politik, ekonomik dhe tregtar.

“Ne nuk themi që do të kthehemi në marrëdhënie asimetrike me Serbinë. Përkundrazi, do të avancojmë duke e shndërruar subjektivitetin tonë në çështje integriteti e dinjiteti, me parimin, i cili më së shumti njihet për vlerën e tij në raportet ndërfqinjësore e bilaterale, e ky është reciprociteti”, ka thënë Kurti.Por njohës të rrethanave thonë se kryeministri ditët në vazhdim duhet të shpalosë në detaje se çfarë nënkupton reciprocitet tregtar, ekonomik dhe politik me Serbinë, dhe si do të zbatohet ai.