Një tjetër projekt i mbështetur nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë është edhe “Laboratori i Ndërtimit” në Universitetin “Aleksandër Moisiu”. Ky laborator, ashtu si ai i “informatikës dhe IT” në të njëjtin universitet, do të mbështesë kërkimin shkencor për lektorët dhe studentët. Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini nënvizoi se “laboratori do të krijojë kushte shumë të mira në mësimdhënie, do të ndihmojë stafin akademik në realizimin e rasteve të ndryshme studimore të materialeve të ndërtimit, si dhe do të vihet në funksion të kurseve pasuniversitare”.

Tashmë Universiteti “Aleksandër Moisiu” ka dy ndër laboratorët më të kompletuar dhe më bashkëkohorë: Laboratori i Ndërtimit dhe laboratori i Informatikës dhe IT-në. Ky projekt mbështetet në kuadër të ofrimit të granteve për zhvillimin e infrastrukturës së kërkimit shkencor në universitetet publike në vend. Nga ana e Ministrisë së Arsimit është dhënë mbështetje financiare jo vetëm krijimit të laboratorit multifunksional të UAMD, por edhe laboratorëve të shumtë kërkimorë në universitetet e tjera publike në vend.

Universitete të tjera përfituese në kuadër të financimit të projekteve infrastrukturore të kërkimit shkencor janë Universiteti i Tiranës, Universiteti Politeknik i Tiranës, Universiteti i Mjekësisë i Tiranë, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti i Arteve, Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, Universiteti “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, Universiteti “Ismail Qemali” në Vlorë dhe Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.