Një tjetër investim i përmasave dhe standardeve të Bashkimit Europian i shtohet Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Depoja e re Farmaceutike”. E projektuar në vitin 2018, depoja që përfundon brenda këtij muaji, me një sipërfaqe prej 2680 metrash katror, është një investim prej 271 milion lekësh i qeverisë shqiptare, që do të garantojë cilësinë dhe sigurinë e barnave që do të magazinohen në të. Në një intervistë për ERTV, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, teksa prezantoi këtë investim, tha se depoja do të jetë e pajisur me 6 dhoma frigoriferike me temperaturat e përcaktuara, dhe një sallë të pajisjeve ultramoderne për përgatitjen specifike të tretësirave dhe kombinimeve të barnave siç janë trajtimet me kimioterapi që kanë nevojë të kenë parametra të përcaktuara të përgatitjes së tyre.

Sipas Manastirliut, ndërtimi i një strukture të tillë, ishte i nevojshëm për të garantuar cilësinë e barnave në kushtet kur qeveria ka rritur financimet për furnizimin me barna të qendrës më të madhe spitalore në vend. “Para 6 vitesh nuk mund të mendohej që të kishte një strukturë magazinimi dhe përgatitjesh tretësirash të barnave, sepse 6 vite më parë nuk kishin serume dhe nuk kishin vigona. Qytetarëve u duhej që të shkonin në farmacitë rrotull spitaleve. Në QSUT duke qënë se është spitali më i madh dhe ka furnizimet sigurisht më të mëdhaja të barnave, janë rreth 22 milionë euro çdo vit që furnizohet me barna dhe me materiale mjekësore, kemi ndërtuar këtë structure. Vetëm për terapitë onkoligjike janë 24 milionë euro të cilat investohen çdo vit si financim për sëmundjet onkologjike në trajtimet medikamentoze”, tha Manastirliu.

Në katin përdhe të depos do të jenë 6 dhoma frigoriferike të cilat do të jenë për ruajtjen në temperaturë 2 deri në 8 gradë të barnave dhe një dhomë frigoriferike për ruajtjen në temperaturë -20, -25 gradë të reagentëve të ndryshme. “Kjo strukturë është e gjitha e qëndërzuar. Qëndërzimi i barnave dhe materialeve mjekësore krijon më shumë premisë për kontrollin më të mirë të qarkullimit të barnave, transparencën gjithashtu dhe sigurisht pastaj dhe kushtet e barnave. Ndërkohë që çdo barnë, hyn dhe del me një bar-kod të caktuar dhe gjurmimi i barit bëhet deri në farmacinë e pavioneve dhe sigurisht që ambicia jonë është që të mundet të gjurmojmë barin deri te pacienti. Do të ketë mundësi që të ketë gjithashtu një etiketim të të gjithë barnave sipas kategorive që barnat kanë dhe krijohet lehtësia që më pas shpërndarja e tyre përmes karrelave specifikë të bëhet edhe më e lehtë”, shpjegoi Ministrja e Shëndetësisë.

Depoja krijon premisat gjithashtu që edhe në kuadër të paktit universitar, studentët e farmacisë të kenë mundësi që të bëjnë praktikat në një strukturë të standardeve europiane dhe të kenë mundësinë të zhvillojnë në praktikë, dijet që ata kanë marrë në teori.