Marash Kumbulla mbret për një natë. Mbrojtësi i talentuar shqiptar tregoi edhe njëherë se po kalon një formë fantastike në këtë sezon në sfidën ndaj kampionëve në fuqi të Juventusit.Kumbulla iu anulua një gol për një pozicion milimetrik jashtë loje që do t’ia kishte zbukuruar sëtepërmi ditën e 20-vjetorit të lindjes, megjithatë kuqeziu u bë protagonist duke fituar penalltinë që solli përmbysjen e madhe të Veronës ndaj Juves.

Djaloshi bëri shumë mirë në fazën ofensive, por ishte perfekt edhe në mbrojtje, duke eklipsuar klasin e treshes Higuain, Ronaldo, Dybala. Ndërhyrjet e tij të sakta në shumë raste i bënë kundërshtarët të ndërronin krahë.Gjithashtu, edhe pse jo në nivelet e Kumbullës një ndeshje shumë të mirë zhvilloi Rrahmani.Mbrojtësi ishte një pikë e fortë e mbrojtjes në fitoren e mbrëmshme dhe shumë i mirë në topat e diskutueshëm.Vlerësime shumë të mira kanë marrë të dy nga mediat e mëdha Europiane.”Gazzeta Dello Sport” e ka vlerësuar Kumbullën me notën 7.5 dhe “Corriere Dello Sport me notën 7. “Eurosport” ka notën 8 për Kumbullën dshe notën 7 për Rrahmanin.

Notat e dy shqiptarëve “Eurosport” i komenton: “Kumbulla 8. I sigurt dhe i vëmendshëm mbrapa, ku nuk gabon praktikisht asgjë. Dhe kur shtyn përpara shkakton dëme.Vetëm një pozicion jashtë loje milimetrik i mohon gëzimin e golit, pastaj në fund fiton edhe penalltinë duke shtyrë Bonuçin të bëjë faull me prekjen e topit me dorë.

Rrahmani 7. Një tjetër paraqitje super e 25-vjeçarit kosovar. Mbyll saraçineskën, nuk lë të kaloj asgjë, është e vërtetë, në aksionin e golit të Juventusit i jep pak si shumë hapësirë Ronaldos, por përballë një fenomeni të tillë ke pak për të bërë.”