Agjencia e vlerësimit të kreditit, Moody`s ka publikuar rishikimin periodik të Shqipërisë, duke mos ndryshuar asnjë presje me publikimin e fundit, atë të 2 gushtit të vitit të kaluar, paçka se përgjatë kësaj periudhe kohore kanë ndodhur shumë gjëra që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin financiar të ekonomisë sonë, me tërmetin e 26 nëntorit në krye të këtyre ngjarjeve.

Publikimi i fundit i Moody`s nuk shërben si një notë vlerësimi, por vjen në kuadrin e strategjisë së agjencisë për të rishikuar periodikisht (2 herë në vit) përshtatshmërinë e vlerësimit e secilit shtet në bazë edhe të ngjarjeve që kanë rrjedhur. Nota për Shqipërinë fiksohet në “b1”. Kështu, Moody`s vijon të mbajë në “ba3” notën për forcën ekonomike të vendit, gjë që reflekton ekonominë e vogël, me një nivel të ulët diversifikimi krahasuar me të ngjashmit e saj si dhe një numër të sfidash strukturore.

Forca e institucioneve dhe qeverisjes vlerësohet me notën “ba2”, çka nënvizon përpjekjet e qeverisë për t`u bërë pjesë e Bashkimit Europian nëpërmjet luftës ndaj korrupsionit dhe sundimit të ligjit. Forca fiskale vlerësohet me notën “b1”, nota më e ulët ndër të gjithë indikatorët e tjerë, duke marrë parasysh borxhin e lartë publik, por në rënie, si dhe detyrimet e prapambetura që rrjedhon kryesisht nga sektori energjetik si dhe nga rritja e besimit në formën e investimit të tipit “Partneritet Publik Privat”.

Notën më të mirë, në “ba”, e merr ajo e rrezikut, nxitur kryesisht nga sektori bankar. Pavarësisht se nuk shërben si një veprim në dhënien e një note, njoftimi i Moody`s vjen vetëm pak ditë pas publikimit të S&P, ku nota e borxhit sovran të vendit mbetej e pandryshuar. Notat e vlerësimit të këtyre dy agjencive janë përcaktuesi kryesor i normave të interesit për huatë e qeverisë shqiptare.